LEZHE - Kaldajat në shkollat e Lezhës kanë mbetur vetëm si dekor! Nxënësit duhet t'i kalojnë orët mësimore të veshur me xhupa, pasi askush nuk e ndez sistemin e ngrohjes përmes kaldajave, ndërsa në shumë shkolla të tjera ato mungojnë. Zgjidhjen nxënësit e kanë gjetur duke mbledhur para për të blerë furnela elektrike, megjithatë as kjo nuk e zgjidh situatën, pasi në këto temperatura të ulëta, reflektorët nuk munden të ngrohin klasat e acarta.
E tillë paraqitet situata në gjimnazin "Hydajet Lezha" dhe shkollën 9-vjeçare "Nënë Tereza".
"Jo nuk ndizen, ndoshta nuk kanë lëndë të mjaftueshme për tu ndezur. Ne ngrohemi me reflektor të madh", tha një nxënës.
"Kaldajat njëherë punojnë njëherë jo, kemi marrë një ngrohëse mirë është por prapë kemi pak ftohtë", tha një nxënës.
Kjo situatë nuk është e panjohur për Zyrën e Arsimit Parauniversitar në Lezhë, megjithatë përpjekjet për ta ndryshuar atë, kanë dështuar!
"Bashkia ka furnizuar me soba shkollat që kanë pasur mungesa dhe ka bërë furnizimin me dru dhe karburant për shkollat për të siguruar mësimin normal. Bashkia Lezhë ka bërë përpjekje për të sistemuar pajisjet për të organizuar ngrohjen që janë vetëm në qytet. Kanë përpjekjen e tyre për të garantuar ngrohjen e shkollave. S'ka pasur probleme për zhvillimin e mësimit", tha Luan Dalipi, drejtor i Arsimit Parauniversitar në Lezhë.
I kontaktuar nëpërmjet telefonit drejtori i Arsimit në Bashkinë Lezhë, Elson Frroku, thotë se në dy shkollat ku mungon ngrohja kaldajat nuk kanë funksionuar që prej ndërtimit të tyre dhe bashkia nuk ka mundur ende për t'i vënë në funksion.
Vetëm 2 ditë më parë një shkollë 9-vjeçare në Laç u përfshi nga flakët. Shkaku dyshohet se u bë mbingarkesa në rrjet pasi nuk punonin kaldajat dhe në këtë mënyrë për ngrohje përdoreshin furnela elektrike. Fatmirësisht nxënësit u evakuuan në kohë dhe nuk pati persona të lënduar.