Një fëmijë palestinez

Lufta në Gaza/ Borrell: S’ka unanimitet për sanksionet ndaj ministrave izraelitë! OBSH: Marrëveshje për pauza për vaksinimet kundër poliomielitit

29 Gusht, 22:14| Përditesimi: 29 Gusht, 22:18

  • Share

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell, në fund të një takimi të Këshillit të Jashtëm të BE, ka bërë me dije se nuk pati unitet për sanksionet ndaj ministrave izraelitë.

“Diskutuam për sanksionet ndaj dy ministrave të Izraelit, sot nuk pati unanimitet, por gjithsesi do t'i propozoj këto masa kufizuese në Këshill, më pas ministrat do të vendosin si gjithmonë, duke marrë një vendim politik, pasi të kenë analizuar me kujdes arsyet për mbështesin këtë propozim", tha Borrell.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të enjten se ka arritur marrëveshje me Izraelin për ndërprerje të kufizuara të luftimeve në Rripin e Gazës, në mënyrë që të mundësohet vaksinimi i qindra mijëra fëmijëve kundër poliomielitit. Një foshnje u infektua me poliomielit së voni, duke u bërë rasti i parë i konfirmuar me këtë sëmundje në 25 vjetët e fundit në territorin palestinez.

Fushata e vaksinimit, e përshkruar si “pauzat humanitare”, do të zgjasë nga tri ditë në pjesë të ndryshe të Gazës dhe do të fillojë të dielën nga Gaza qendrore, tha Rik Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së për territoret palestineze.

Pas përfundimit të fazës së parë, faza e dytë do të nisë në jug të Izraelit ku do të ketë ndërprerje të luftimeve për tri ditë, ndërsa faza e tretë do të zhvillohet në veri të Gazës, tha ai. Ai tregoi se ndërprerjet në luftime do të zgjasin nga tetë deri në nëntë orë në ditë.

Peeperkorn tha se qëllimi është të vaksinohen 640.000 fëmijë nën moshën 10-vjeçare dhe se për fushatën e vaksinimit janë koordinuar me autoritetet izraelite. OBSH-ja ka thënë se duhet të vaksinohen 90 për qind e fëmijëve në Gazë për ta parandaluar përhapjen e poliomielitit.

“Ne kemi nevojë për këtë pauzë. Kemi marrëveshje për këtë dhe presim që të gjitha palët t’i përmbahen asaj”, tha ai.

Këto pauza humanitare nuk janë armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit - grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ndërmjetësit SHBA, Egjipti dhe Katari ka kohë të gjatë që po kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim. Bisedimet janë duke vazhduar edhe këtë javë. Hamasi është “i gatshëm të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare për ta siguruar këtë fushate”, tha Basem Naim, anëtar i zyrës politike të Hamasit.

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?