OBSH: Europa po raporton 26 mijë raste të reja me Covid-19 çdo ditë

20 Gusht 2020, 17:43| Përditesimi: 20 Gusht 2020, 18:22

  • Share

‘Vendet europiane po regjistrojnë mesatarisht çdo ditë 26,000 raste të reja infeksioni Covid’- kështu deklaroi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit për Europën ndërsa paralajmëroi vendet e Kontinentit të vjetër për një “rigjallërim” të pandemisë.

Në një konferencë për mediat, Hans Kluge u shpreh gjithashtu se ndërsa epiqendra e pandemisë ka shkuar tashmë në Kontinentin Amerikan, rajoni i Europës po vijon që të ketë 17 për qind të rasteve totale në botë.

“Rastet e reja kanë vazhduar që të rriten çdo javë në rajonin europian. Janë regjistruar 40,000 raste më shumë në javën e parë të gushtit, krahasuar me javën e parë të qershorit, kur rastet ishin në pikën e tyre më të ulët. Çdo ditë tashmë Europa po raporton mesatarisht mbi 26,000 raste të reja. Kjo vjen edhe si pasojë e lehtësimit të masave shtrënguese ndërsa njerëzit kanë ulur mbrojtjen dhe vigjilencën ndaj Covid,” deklaroi Kluge.

"Përhapni argëtim, jo virusin. Mbroni prindërit dhe gjyshërit tuaj", tha Kluge nga zyra e OBSH-së teksa edhe falënderoi të rinjtë për sakrificat e bëra deri më tani, por gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për rritjen e infeksioneve tek të rinjtë. "Askush nuk është i pathyeshëm - tha Hans Kluge - dhe madje edhe nëse Covid-19 nuk është vdekjeprurës për ju, ju ngjitet pas si një tornado me një bisht të gjatë".

"Sipas një studimi të fundit, globalisht, në mesin e njerëzve të moshës 15 deri në 24 vjeç - shtoi Kluge - rastet e Covid-19 janë rritur me një normë prej 4.5% në fund të shkurtit, me 15% në mes të korrikut ".

"Rreziku i ulët - nënvizoi Kluge, - nuk do të thotë se rreziku është larguar”.

Ai gjithashtu shtoi se OBSH-ja në Europë mund të mbajë një samit virtual me 53 shtetet anëtare për të vendosur rreth rihapjes së shkollave, si dhe për “të diskutuar veprime konkrete që duhen ndërmarrë, për t’u siguruar shkolli të sigurt për fëmijët”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?