Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se "lodhja pandemike" po kërcënon aftësinë e Evropës për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Drejtori i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, tha sot se "sakrificat e mëdha" të bëra nga njerëzit në të gjithë Evropën gjatë pandemisë " kanë shkaktuar një kosto të jashtëzakonshme, e cila na ka lodhur të gjithëve, pavarësisht se ku jetojmë, ose çfarë bëjmë".
"Në rrethana të tilla është e natyrshme të ndihesh apatik dhe i demotivuar...të përjetosh lodhje", tha Kluge.
Zyrtari i OBSH-së tha se nivelet e lodhjes kishin arritur 60% në disa raste dhe u bëri thirrje vendeve të qëndrojnë në kontakt me komunitetet lokale për të monitoruar përgjigjet e njerëzve ndaj pandemisë dhe nevojave të tyre.
Ai përmendi festimet virtuale gjatë Ramazanit ose kinematë lëvizëse, si qasje të reja të suksesshme, që mund t'i ndihmojnë njerëzit të përshtaten me kushtet e reja të krijuara nga pandemia.
Shumë njerëz ndihen më pak të motivuar për të zbatuar masat mbrojtëse, pasi kanë jetuar me pasiguri për muaj të tërë, thotë OBSH-ja.