OBSH: Shqipëria me numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Europë më 2020

2 Maj, 07:48| Përditesimi: 2 Maj, 18:22

  • Share

Shqipëria renditet e fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Të dhënat që i përkasin viti 2020 tregojnë se në Shqipëri ishin 18.8 mjekë për 10 mijë banorë, niveli më i ulët në Europë e rajon.

Pas Shqipërisë, numrin më të ulët të mjekëve për banorë e ka Turqia me 20.4 për 10 mijë banorë dhe më pas Bosnja me 21 mjekë për 10 mijë banorë, ndjekur nga Mali i Zi. Në anën tjetër, Greqia kryeson listën për numrin e lartë të mjekëve 63,1 për 10 mijë banorë, ndjekur nga Portugalia Austria e Norvegjia.

Vendet e zhvilluara të Europës kanë mbi 40 mjekë për 10 mijë banorë. Në rajon, numrin më të lartë të mjekëve për banorë e ka Serbia me 36.7 për 10 mijë banorë. Në vitin 1990, Shqipëria kishte 13.7 mjekë për 10 mijë banorë, por treguesi u përkeqësua deri në vitin 2016 kur numëroheshin 12.3 mjekë për 10 mijë banorë, si rrjedhojë e emigrimit të lartë në këtë profesion dhe investimeve të dobëta publike në shëndetësi.

Në vitin 2018 treguesi shënoi rritje në 21.5 mjekë për banorë si pasojë e zbatimit të një plani për shtimin e organikës ne entet publike te shëndetësisë dhe nga ana tjetër rënia e popullsisë ka favorizuar përmirësimin e raportit. Mirëpo emigracioni i fortë në këtë grup, sidomos drejt Gjermanisë, e përkeqësoi sërish treguesin përgjatë 2018-2020, i cili arriti në 18.8 mjekë për 10 mijë banorë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?