Artikulli në median holandeze dhe makina e aksidentuar në Shqipëri në muajin gusht

Kronikë

Odiseja e turistit holandez, nga aksidenti në rrugë, netët në paraburgim në Gjirokastër dhe lirimi kundrejt 5 mijë eurove

26 Shtator, 20:45| Përditesimi: 26 Shtator, 22:12

  • Share

Një turist holandez ka treguar për një nga të përditshmet kryesore të vendit të tij “De Telegraaf”, një eksperiencë zhgënjyese në Shqipëri, ku ai ndodhej për pushime me bashkëshorten e tij.

Një aksident rrugor, më 6 gusht të këtij viti, kur mjeti i tij u përplas me një tjetër, bëri që udhëtimi turistik të ndërpritej e të përfundonte në qelitë e komisariatit të Gjirokastrës.

Drejtuesi i makinës tjetër, Adriatik Onjeas, nga Gjirokastra, u shtrua në spital, me dhimbje kraharori dhe të qafës.

Turisti holandez, (në gazetë shfaqet vetëm me emrin Perry, por sipas akteve gjyqësore në Shqipëri, quhet Petrus Geradus Jacobus) u lirua kundrejt një garancie pasurore prej 500 mijë lekesh (5 mijë euro).

(Artikulli i medias holandeze)

“Doja ta parkoja makinën me qira pranë hotelit, kur duke lëvizur mbrapsht u përplasa me një makinë tjetër që ndodhej në këndin tim të verbër. U shtanga nga frika,” rrëfen Perry.

Burri dhe dy pasagjerët e makinës tjetër zbritën, dhe gjithçka dukej se ishte e vogël. Por brenda pak minutash erdhën policët dhe të njohur të palës tjetër, rruga u bllokua, u bënë fotografi dhe u vendosën pengesa.

Sipas komunikatës së policisë shqiptare, aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije", ndërsa automjeti me të cilin ai është përplasur, udhëtonte në drejtim të Gjirokastrës.

Turisti holandez tregon më tej se “shoferi reagoi me nervozizëm dhe i erdhën si të vjella, gjë që dukej shumë e shtirur. Policët vazhduan me hetimin e gjurmëve dhe pas një testi me frymëmarrje që më bënë mua, rezultati doli 0.0”.

Megjithatë, Perry duhej të shkonte në komisariat.

“Na thanë se ishte vetëm për të rregulluar dokumentet, por më vonë u duk se procesverbali ishte përkthyer vetëm pjesërisht. Ndërkohë, na u tha se burri ishte në spital dhe gjendja e tij nuk ishte e mirë, gjë që na ngjalli dyshime”.

Komunikata e policisë shqiptare e shpërndarë të nesërmen e ngjarjes vë në dukje se “nga aksidenti është dëmtuar shtetasi A. O., i cili është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”.

Dokumente të tjerë në dosjen e rastit tregojnë se Onjea ka ndjerë “dhimbje në pjesën e gjoksit dhe pjesën e qafës së shtyllës kurrizore. Pas aksidentit është transportuar menjëherë në spitalin rajonal ‘Omer Nishani’ Gjirokastër, ku ka qëndruar për 4 ditë nën kujdes mjekësor”.

(Kartela klinike për të plagosurin Adriatik Onjea)

Turisti holandez tregon se “duhej të rrija disa ditë në qeli, sepse ‘viktima’ ishte një politikan i lartë lokal. U tronditëm keq. I kërkova gruas sime të kontaktonte me ambasadën holandeze, dhe më morën dhe më dërguan me furgon arrestimesh”.

Sipas komunikatës së policisë, “specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin holandez P. J., 53 vjeç”.

Ndërsa i aksidentuari Adriatik Onjea, në atë kohë rezultonte Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Bashkisë Gjirokastër.

Në rrëfimin e tij për gazetën “De Telegraaf”, Perry thotë se përfundoi “në një dhomë të vogël qelie me shtrat e batanije të pista, dritat e ndezura gjatë gjithë ditës, dhe zhurmë qyteti natën.

“Familja ime mund të sillte vetëm ushqim dhe rroba, dhe komunikimi bëhej përmes Google Translate. Disa prej rojeve ndjenin keqardhje për mua”, rrëfen Perry.

(Foto: Raporti i këshillimit pas aksidentit)

Gjyqtari vendosi që 10 ditë burg ishin të mjaftueshme kundrejt një garancie prej 5000 €. Për shkak të fundjavës dhe bankave të mbyllura, Perry u lirua të hënën.

“Ribashkimi me familjen ishte shumë emocional, lotët rridhnin pa pushim”.

Vendimi i Gjykatës për “arrest me burg” dhe zëvendësmin e saj me masën e sigurimit personal “garanci pasurore” për t’u paguar brenda 10 ditësh, është i të shtunës 9 gusht.

Nuk është e qartë se çfarë aktesh mjeko-ligjore ka patur në dispozicion gjykatës për vendimin e tij.

(Foto: Vendimi i Prokurorisë së Gjirokastrës)

Gazeta holandeze shkruan se Perry duhet të paguante gjithashtu faturën e parë të avokatit (2000 € cash), shpenzimet spitalore të palës tjetër (2500 €), dhe pjesën e dëmit të makinës plus shpenzimet e tërheqjes (1500 €).

“Kur avioni u ngrit në ajër, kuptova sërish sa shumë vlen liria jote,” thotë Perry.

Turisti, në intervistë, është shprehur se avokati i tij e ka këshilluar që të mos marrë pjesë në seancat gjyqësore ndaj tij në Shqipëri, e në këtë rast do të humbiste garancinë pasurore. Megjithatë, ai shprehet se nuk do t’i ndjekë proceset në Shqipëri, që siç thotë vetë, në rastin e tij nuk ka ekstradim.

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?