Sociale

Oferta akademike e UBT/ Rektori Sallaku jep detaje për 9 programet e reja: I përshtatet nevojave të tregut! Mësimi me profesorë vendas dhe të BOKU së Vjenës

24 Korrik, 13:51| Përditesimi: 24 Korrik, 14:10

  • Share

Pak ditë më parë, Universiteti Bujqësor i Tiranës prezantoi ofertën e re akademike me 9 programe të reja, që do të ofrojë nga ky vit për të rinjtë. Programet e reja vijnë pas bashkëpunimit të arritur me universitetin BOKU të Vjenës. Rektori Fatbardh Sallaku, në një intervistë për Report TV, ndau detaje rreth kësaj oferte të re, teksa tha se krahas 9 programeve, po punojnë për të sjellë edhe tre të tjera.

Teksa përmendi se ku fokusohen programet e reja, Sallaku theksoi se studenti, pasi të ketë marrë njohuritë e duhura në dy vitet e para, në vitin e tretë mund të zgjedhë profilin që do të specializohet. Një ndër degët e reja, shtoi rektori, është ajo e inxhinierisë së ujit, që vjen për herë të parë në Shqipëri. Mësimi do të zhvillohet në shqip dhe anglisht, dhe në bashkëpunim me stafin e BOKU-t të Vjenës.

Sallaku shtoi se pjesa më e madhe e moduleve do të zhvillohen me dy profesorë, një i UBT dhe i BOKU-t. Një pjesë e madhe e studentëve që do të regjistrohen këtë vit, kanë mundësi që të shkojnë në BOKU dhe të kryejnë një semestër pa asnjë shpenzim, ku mund të bëjnë leksione dhe praktika.

"Vijmë me 9 programe të reja, të ngjashme me ato në BOKU dhe 3 ekzistuese që do të futen në rishikim vitin e ardhshëm. Vijmë me një ofertë në shkencat e bujqësisë dhe ushqimit, ku në vit të tretë, çdo i ri mund të zgjedhë ndërmjet specialiteteve. Në vitin e parë është akoma i pa orientuar. Duke pasur mundësi që të njihet me kurrikulën, mund të zgjedhë për specializimin, në agronomi, mbrojtje bimësh, hortikulturë, zooteknikë, peshkim. Kemi një program bachelor në inxhinieri uji e mjedisi për herë të parë në Shqipëri. UBT është i vetmi në Shqipëri që e ofron këtë bachelor, sidomos në shkencën e ujit, BOKU është nga më të mirët në Evropë. Kemi dizenjuar një program të ri në IT, bujqësi e mjedisit. Shpresoj të pritet mirë nga të rinjtë. Kemi ridizenjuar bachelorin në menaxhim biznesi dhe fushën e ekonomiskit. Kemi inxhinieri pyjesh, teknologji dhe shkenca ushqimi. Kjo është paketa pak a shumë prej 9 programesh. Përveç emrat të ngjashëm me programet e BOKU, është e ndryshme është fakti i përbërjes dhe kurrikulës që përfaqësohet. E pranojmë se kemi pasur goxha pakënaqësi apo komente nga të rinjtë në lidhje me ngarkesën, përbërjen, programet me fokusin më shumë drejt teorisë dhe këta janë faktor që kërkuan rishikim ofertën për të rinjtë.", tha ai.

Rektori shprehu ambicien që brenda 3-4 viteve të arrijnë që diplomat e UBT-së të jenë të ngjashme me ato të BOKU-së. Sallaku shtoi se synojnë ta shndërrojnë UBT-në në Universitetin e BOKU-së në Tiranë. Sallaku tha se shpresojnë që oferta e re akademike të mirëpritet nga të rinjtë, jo vetëm shqiptarë, teksa shtoi se është përshtatur me nevojat që ka tregu bujqësor në vend.

"Tregu ka shumë nevojë dhe kjo është arsyeja kryesore pse kemi ndryshuar se edhe të rinjtë kanë pasur të drejtat e veta. Oferta s'ka qenë në pritshmëritë e tyre. Ishte reflektim për nevojat e tregut, të biznesit, të ministrisë së Bujqësisë apo aktorë të tjerë në këtë fushë. Ne nuk shkojmë në një ofertë që ata që diplomohen do të mbeten pa punë.", shtoi rektori.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?