Partizani nuk ka ndërmend të largojë nga ekipi Xhuliano Skukën. Së fundmi, klubi i kuq ka refuzuar 750 mijë euro nga Hellas Verona për sulmuesin 24 vjeçar. Klubi i Serie A është "fiksuar" pas dibranit, teksa edhe nënshtetësia e tij franceze është në favor të regjistrimit si "komunitar" në ligën italiane.
Me kontratë deri në 2025, Partizani nuk dëshiron të largojë sulmuesin që është një nga vlerat më të larta sportive që ekipi ka në dispozicion. Presidenti Gazment Demi nuk ulet nga shifra 1 milionë euro, duke refuzuar edhe ofertën e fundit që erdhi në drejtim të Skukës.
Në 16 javët e para të Superligës, Skuka këtë sezon ka shënuar 10 gola në 1330 minuta të luajtura. I dalë nga moshat e Korabit, Skuka veç Partizanit provoi sezonin e shkuar të luante edhe me Dinamon por pa efekt.