Kjo është Arlinda Xhametaj, një ndër 220 oficeret e sigurisë në shkolla. Prej 4 vitesh ajo garanton mbarëvajtjen dhe sigurinë e nxënësve, në gjimnazin "Qemal Stafa" në Tiranë. Arlinda na rrëfen se konfliktet më të shpeshta ku i duhet të ndërhyjë janë ato që burojnë nga bullizmi i nxënësve ndaj njëri tjetrit.
“Merrem çdo ditë me fenomene shoqërore, raste të dhunës. Në raste ekstreme bëjmë dhe ndërhyrje me instance të tjera”, thotë ajo.
Madje, rrëfen ajo ka pasur raste kur ka kërkuar ndërhyrjen e specialistëve të krimit kibernetik për ngacmimet online mes të rinjve.
“Ngacmohen në platformat elektronike. Nxënësit kishin krijuar një grup Whatsapi. Kishin nisur ngacmimet dhe situata ka precipituar më pas në ambientet e shkollës në dhunë verbale. Arritëm që nëpërmjet bashkëpunimit dhe me dijeninë e prindërve, sheshuam problemin dhe nxënësit i pajtuam brenda ambientit shkollor. Dhunën verbale, i zgjidhim me mirë menaxhim të të gjithë stafit dhe ndihmën e prindërve”, thotë për Report Tv.
Për tu certifikuar në këtë pozicion, 30 vjeçares i është dashur që të bëjë një sërë trajnimesh.
“Jam diplomuar në Shkenca Sociale. Pas një trajnimi, por edhe një sërë procedurash dhe provimit jemi certifikuar dhe jemi pozicionuar në shkolla. Jam ndër oficeret e para. Ne jemi persona civilë, të mirë arsimuar. Nëpërmjet njoftimeve në ministrinë e arsimit kishte dalë njoftimi për oficer sigurie. Mu duk diçka e veçantë dhe aplikova. Pashë platformën. Mu duk rol interesant, diçka e re që nuk ka qenë më parë. Jam shumë e kënaqur dhe e bëj më shumë pasion punë”, tha Arlinda.
Krahas kësaj pune, Arlinda Xhemataj punon edhe si pedagoge e jashtme në Universitetin e Shkencave Sociale. 70 oficerë sigurie, janë shtuar vetëm këtë vit në shkollat publike duke u vendosur në shkollat 9 vjeçare me numër të lartë nxënësish.