TIRANE-Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularin për justifikimin e pasurisë tre emrave të tjerë, në Sarandë, Vlorë dhe Elbasan. Në fakt dy janë emrat e skeduar, ndërsa i treti duhet të justifikojë pasurinë për shkak të lidhjes familjare.
Emri i parë është Klaudjos Dervishi banues në Sarandë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për vjedhje e mbetur në tentativë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet edhe nga autoritetet gjermane për grabitje me vlerë prej 3.1 milionë euro, ndërsa dënimin po e kryen në Shqipëri. Por pasurinë duhet ta justifikojë sipas OFL-së edhe familjari i tij Myftar Dervishi banues në Vlorë.
Emri i tretë është një grua, Zamira Gjongeci nga Elbasani, e dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”.
Gruaja është dënuar në 2003 me 7 vite burg nga Krimet e Rënda për trafik droge, heroinë të pastër që vinte nga Turqia dhe do të dërgohej në Itali. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.