TIRANE-Operacioni Forca e Ligjit sot u ka dërguar formularin për justifikimin e pasurisë tre emrave të tjerë të njohur për drejtësinë shqiptare. I pari është Endrit Qyqja, mik dhe pjesë e grupit të Emiljano Shullazit.
Qyqja është i dënuar me 10 vite burg nga gjykata e shkallës së parë të Krimeve të Rënda për shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, ndërsa aktualisht procesi është te Gjykata e Posaçme për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin. Geno Lena është emri i dytë në listë për sot.
Për vlonjatin gjykata ka vendosur masën arrest me burg në mungesë, pra është në kërkim për vrasje në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje. Në 5 gusht të vitit të kaluar ai së bashku me 3 persona të tjerë akuzohen si të përfshirë në vrasjen e Arben Beqirajt, ku sherri nisi për një kalë.
Emri i tretë është Orgest Balla nga Tirana i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.