Jani Aliaj, të cilit sot "Operacioni Forca e Ligjit" i kërkoi të deklarojë pasurinë, është nga Tepelena, dhe i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, për vrasjen e bujshme në 1 maj 2016 në Tiranë, ku u vra Elton Çiço në lokalin 'De Niro" në zonën e ish-bllokut. Jani Aliaj nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe është ende në kërkim policor për një nga vrasjet që tronditi kryeqytetin 4 vite më parë. Aliaj është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, në një vendim të marrë ndaj tij në mungesë për veprën penale "vrasje me paramendim në bashkim me edhe me 4 vite për armëmbajtje pa leje.
Për ngjarjen e rëndë në ambientet e brendshme të lokalit në një orar mjaft të frekuentuar, u arrestua fillimisht edhe Renato Milloshi i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje. Por ky i fundit është lënë i lirë nga gjykata për mungesë provash.
Sipas OFL-së, ndaj Jani Aliaj, ka edhe një masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale ''Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ''Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në zbatim të aktit normativ Anti-KÇK, barrën e provës për ligjshmërinë e pasurive të vëna e ka edhe rrethi familjar i subjektit të OFL-së.
Lajmi kryesor:
OFL u kërkon të justifikojë pasurinë të dënuarit përjetë në kërkim për vrasje dhe trafikantit bashkëpunëtor me policë e doganierë
G.M./ReportTv.al