Në vitin 2011, ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta ishte në prag të burgut teksa u kap me bllok në dorë për afera 700 mijë euro. U desh një darkë peshku natën përpara dhënies së vendimit nga gjykata e Lartë, në shtëpinë e tij, midis çifteve Meta- Kryemadhi e Berisha, ajo që e shpëtoi Ilir Metën nga ndëshkimi i merituar.
Në vitin 2015, personi që e shpëtoi nga burgu Ilir Metën në vitin 2011, u bë nxitësi për ta çuar atë në dyert e drejtësisë kur Meta u përfol si organizator i vrasjes së mbetur në tentativë për dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë
Kësaj radhe ishte mazhoranca socialiste në pushtet ajo që nuk ia dha në “sini argjendi” Sali Berishës, kokën e kryetarit të Kuvendit. Akuza ndaj Metës, në ndryshim nga vitit 2011, ishte tërësisht e stisur dhe në mungesë të plotë faktesh, ndaj socialistët vepruan drejt që nuk bënë kompromis me Berishën për të ndëshkuar Metën.
Në këtë rast është interesant fakti se kur Meta e meritonte dënimin, Berisha bëhej me vetëdije pengesë, kurse kur për të nuk kishte asnjë provë fajësie, ishte Berisha që ulërinte për ta dënuar. Kjo vjen për shkak sepse Berisha nga ka parime të shëndosha, por vetëm interesa personale e politike. Dy standarde të ndryshme për të njëjtin person, tregojnë falsitetin dhe hipokrizinë e theksuar që mishërohen tek karakteri i tij.
Ilir Meta, tashmë në detyrën e kryetarit të shtetit, po përballet me një komision parlamentar që ka si detyrë hetimin e shkeljeve të tij kushtetuese gjatë ushtrimit të detyrës. Ndryshe nga dy herët e kaluara, nuk është në rend të ditës dënimi me burg i Ilir Metës, por thjesht shkarkimi i tij nga detyra.
Ka një diskutim, kryesisht mediatik, që kryeministrit Rama i intereson më shumë Meta në presidencë sesa në rrugë si protestues. Ky është një gjykim i gabuar dhe një lloj konformizmi me të keqen.
T’i mëshosh kësaj teze do të thotë ta konsiderosh disfatiste një mazhorancë që sapo e çoi për skrap partinë e presidentit ku ky i fundit ishte një nga protagonistët kryesorë të saj në fushatë. Bile pati aq shumë protagonizëm saqë besohet se kjo ishte një nga shkaqet e dështimit në zgjedhjet të opozitës në përgjithësi e LSI-së në veçanti.
Presidenti Meta u ndëshkua me votë popullore për rolin e tij destruktiv e jashtë çdo norme të sjelljes presidenciale. Marrja nga njëra anë e rolit të propaganduesit për fitoren e opozitës, e nga ana tjetër sulmonte egërsisht mazhorancën që dikur e kishte zgjedhur në këtë detyrë, janë mjaftueshëm arsye për ta shkarkuar nga detyra.
Halli se mos ai pas kësaj merr rrugët për të protestuar tek dera e kryeministrisë, nuk i hyn në punë askujt. Ai edhe sot që është president është duke protestuar në mënyrën e tij, herë me deklarata haluçinante nëpër studio televizive apo në presidencë, herë duke marrë rol polici për seli partish politike, herë me kthim tendencioz ligjesh, herë me mos dekretim ministrash, herë me zhdekretim zgjedhjesh, herë me ultimatume për prerje duarsh që nuk trembin as macen Sasha, herë ….
Kurioziteti nuk është se çfarë do vendosë mazhoranca socialiste në Kuvend, sepse ajo tashmë procedura ka marrë udhën e i dihet përfundimi.
Çështja është tek vendimmarrja e gjykatës Kushtetuese. Interesi është në këtë pikë, sepse atë ditë ose institucioni i presidentit do kthehet në binarët e ligjit dhe përgjegjësive që i përcakton Kushtetuta, ose prej atij vendimi do të kemi një president të njëanshëm që pozicionohet në favor të njërës palë kundër tjetrës.
Fundja, Ilir Metën do e durojmë edhe 1 vit në detyrë, por çështja është tek perspektiva. Çdo president që do pasojë Ilir Metën do ketë si busull vendimmarrjen e gjykatës Kushtetuese, në lidhje me miratimin ose jo të veprimeve të tij para dhe gjatë fushatës elektorale.
Prandaj, dëmi që mund të sjellë gjykata Kushtetuese në rast se ia miraton me vendim veprimet presidentit, duke e relativizuar problematikën që ai solli thjesht në kuadër deklaratash mediatike, do të jetë i pallogaritshëm.
Unë besoj në një gjykim dhe trajtim serioz nga kjo gjykatë, e cila duhet të shikojë përtej emrit Ilir Meta. Ajo thjesht duket të ketë busull mos krijimin e precedentit të përfshirjes fizike të presidentit të republikës nëpër fushata elektorale.
Oferta që kryeministri Rama i bën Partisë Demokratike për t’i ofruar postin e presidentit, duhet të varet thellësisht nga vendimi i gjykatës Kushtetuese.
Në rast se ajo e quan normale sjelljen dhe veprimet e presidentit Meta në fushatën elektorale të 25 prillit, Partia Socialiste nuk duhet assesi t’ia ofrojë këtë detyrë të rëndësishme Partisë Demokratike. Nuk ka kuptim që të heqësh një Ilir Meta me ngjyra të kuqe e të vendosësh aty një Ilir Meta me ngjyra blu, i cili do ketë gjithë të drejtën pastaj për t’u bërë pjesë e fushatave të ardhshme elektorale.
Në rast se gjykata Kushtetuese e quan të drejtë shkarkimin e presidentit Meta nga Kuvendi, atëherë Partia Socialiste mund t’ia ofrojë me bujari postin e lartë të kryetarit të shtetit për Partinë Demokratike.
Kjo e fundit, në fakt, moralisht nuk e meriton një nder të tillë, për sa kohë që ka qepur gojën nga shkeljet që bëri presidenti Meta, ndërkohë që dikur donte dënimin e tij me akuza false. Megjithatë, në kuadër të një klime bashkëpunimi dhe ndarje përgjegjësish me opozitën kryesore parlamentare, duhen hedhur prapa krahëve këto aspekte negative që ajo ka shfaqur. Fundja, turpi le t’i mbetet PD-së që, si alternativë qeverisëse, nuk u ngrit dot mbi interesat e ngushta politike atëherë kur koha e kërkonte. Rezultati zhgënjyes që mori në zgjedhje, e vërtetoi më së miri këtë gjë.