Kombet e Bashkuara thanë të mërkurën se kufizimet e talebanëve mbi të drejtat e grave dhe vajzave i kishin bllokuar shumicën në shtëpitë e tyre, duke e kthyer Afganistanin në vendin më shtypës në botë për gratë.
Deklarata e OKB-së për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas vjen pasi aktivistet femra u mblodhën në rrugët e kryeqytetit afgan, Kabul, për të dytën ditë për të protestuar kundër politikave ndaluese që talebanët kanë vendosur ndaj tyre për të mos pasur akses në arsim dhe në punë.
"Afganistani nën talebanët mbetet vendi më represiv në botë në lidhje me të drejtat e grave dhe ka qenë shqetësuese të dëshmosh përpjekjet e tyre metodike, të qëllimshme dhe sistematike për t'i shtyrë gratë dhe vajzat afgane jashtë sferës publike," tha Roza Otunbayeva, kryetarja e misionit të OKB-së në Kabul.
"Të mbyllësh gjysmën e popullsisë së vendit në shtëpitë e tyre në një nga krizat më të mëdha humanitare dhe ekonomike në botë është një akt kolosal i vetëdëmtimit kombëtar," shtoi ajo, duke ripërtërirë thirrjen e saj ndaj talebanëve që të ndalojnë dhe të ndryshojnë "kufizimet e ashpra".
Otunbayeva paralajmëroi se shtypja e të drejtave të grave do të dëmtonte perspektivat e Afganistanit për t'u rikuperuar nga dekada lufte dhe do të dënonte të gjithë qytetarët e saj në varfëri për breza.
Talibanët u rikthyen në pushtet në gusht të 2021-shit pasi trupat e SHBA-së dhe NATO-s u tërhoqën nga vendi pas dy dekadash lufte.
Udhëheqësit e linjës së ashpër kanë zbatuar që atëherë një interpretim të rreptë të ligjit islam, ose Sheriatit, duke i ndaluar shumicën e grave afgane nga vendet e punës dhe duke ndaluar arsimimin e grave përtej klasës së gjashtë në vendin e varfër të Azisë Jugore me rreth 40 milionë banorë.