Përfaqësuesit e SHBA dhe Britanisë së Madhe në OKB

Bota

OKB diskuton shkeljen e hapësirës ajrore nga Rusia/ Britania: Putini po rrezikon konfrontim me NATO-n; SHBA: Mbrojmë çdo centimetër të aleancës

22 Shtator, 19:06| Përditesimi: 22 Shtator, 19:36

  • Share

Në Këshillin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara u zhvillua mbledhja urgjente pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë nga Rusia.

Qëndrime të ashpra mbajtën Britania e Madhe dhe SHBA-ja, teksa iu drejtuan me mesazhe të qarta dhe të drejtpërdrejta Rusisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së OKB.

Ambasadori i SHBA në OKB, Mike Waltz, ka thënë se Amerika dhe aleatët do të mbrojnë çdo centimetër të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Rusia duhet të ndalojë urgjentisht një sjellje kaq të rrezikshme. Kjo ngjarje, pas ndërhyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, krijon përshtypjen se Rusia ose dëshiron të përshkallëzojë situatën dhe të tërheqë më shumë vende në këtë konflikt me Ukrainën, ose nuk ka kontroll të plotë mbi ata që operojnë aeroplanët dhe dronët e saj luftarakë. Edhe një herë i bëj thirrje Rusisë, si anëtare e përhershme e këtij Këshilli, të mbështesë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, të respektojë sovranitetin e fqinjëve të saj, të ndalojë shkeljen e hapësirës së tyre ajrore. Dhe i bëj thirrje Rusisë të negociojë drejtpërdrejt me Ukrainën për t'i dhënë fund asaj lufte”.

I ashpër ishte qëndrimi edhe i Sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, e cila deklaroi se nëse është e nevojshme, të përballen pa hezitim, teksa shtoi se Putin po rrezikon përballje të armatosur me NATO-n.

“Nëse na duhet të përballemi me aeroplanë që veprojnë në hapësirën ajrore të NATO-s pa leje, do ta bëjmë. Rusia vazhdon të shkelë detyrimet e saj më themelore sipas Kartës së OKB-së me sulme në rritje ndaj Ukrainës dhe akte të pamatura të ndërhyrjes në hapësirën ajrore polake, rumune dhe estoneze. Këto akte të fundit janë të rrezikshme dhe të pamatura. Në rastin më të keq, ato janë një përpjekje e qëllimshme për të minuar integritetin territorial të kombeve sovrane dhe sigurinë evropiane. Ato rrezikojnë llogaritje të gabuara, ato hapin derën për përballje të drejtpërdrejtë të armatosur midis NATO-s dhe Rusisë. Forca e kombinuar e NATO-s është e pashembullt dhe vendosmëria e saj për të mbrojtur paqen dhe sigurinë është e palëkundur. Presidentit Putin, i them se veprimet tuaja të pamatura rrezikojnë një konfrontim të drejtpërdrejtë të armatosur midis NATO-s dhe Rusisë. Aleanca jonë është mbrojtëse, por mos kini asnjë iluzion. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur qiellin e NATO-s dhe territorin e NATO-s. Ne jemi vigjilentë. Ne jemi të vendosur dhe nëse na duhet të përballemi me aeroplanë që operojnë në hapësirën ajrore të NATO-s pa leje, atëherë do ta bëjmë këtë”.

Edhe ministri i Jashtëm i Polonisë, Sikorski, bëri paralajmërim të ashpër ndaj Rusisë duke i thënë Moskës "të mos ankohet nëse Polonia rrëzon aeroplanin ose raketën e saj herën tjetër që hyn në hapësirën ajrore polake”.

Nga ana tjetër, Kina refuzoi të kritikonte Rusinë dhe në vend të kësaj bëri thirrje për “përmbajtje” për të shmangur keqkuptimet dhe gjykimet e gabuara midis vendeve.

Por përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurisë në OKB u vuri në pikëpyetje provat për sulmin e pretenduar rus ndaj Evropës, duke e akuzuar Perëndimin për “urrejtje primiteve” ndaj Rusisë. Liderët evropianë ai i quajti “rusofobë të vegjël”.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?