Foto e fëmijëve ne Gaza

Bota

OKB shpalli zi buke në Gaza, familjet e kequshqyera dyfishohen në 4 muaj

24 Gusht, 15:13| Përditesimi: 24 Gusht, 15:17

  • Share

Si specie njerëzore jemi shkëputur nga ankthi për të korrat apo rezervat. Kemi ushqim me tepricë dhe shtojmë peshë. Për këtë arsye njoftimi për urinë në Gaza bën bujë. Ndërsa dukemi të mësuar me vdekjet e shkaktuara nga bombat, ushqimi i përdorur si armë ende prek ndërgjegjet. Çfarë thotë raporti i Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), i publikuar nga 21 agjenci të OKB-së dhe private? Si dhe pse përpiqet Izraeli ta hedhë poshtë?

Për herë të parë në Lindjen e Mesme , agjencitë humanitare më prestigjioze në botë po denoncojnë një zi buke. Po ndodh në Gaza për shkak të luftës, shkatërrimit të infrastrukturave, deportimeve të përsëritura të banorëve dhe, mbi të gjitha, vendimit izraelit për të penguar hyrjen e ushqimit në Rrip. Bëhet fjalë pra për një "uri artificiale", nga vullneti i njeriut. Izraeli mohon. "Është një gënjeshtër e turpshme — thotë kryeministri Benjamin Netanyahu —, frut i propagandës së Hamasit".

Shifrat

Në raportin e datës 22 gusht mbi sigurinë ushqimore në Rrip (IPC) thuhet se më shumë se gjysmë milioni banorë të Gazës janë në nivelin 5 të alarmit, që do të thotë zi buke e plotë. Vuajnë nga uria dhe rrezikojnë vdekjen nga shkaqe të shmangshme. Familjet me qasje të pamjaftueshme ndaj ushqimit janë dyfishuar që nga maji, me kulme më të larta se 20% në qytetin e Gazës. Bazuar në perimetrin e krahut, rezulton se 15% e fëmijëve nga 6 muaj deri në 5 vjeç vuajnë nga kequshqyerja akute, ndërsa nëse merret në konsideratë raporti mes peshës dhe gjatësisë përqindja dyfishohet. Deri në fund të shtatorit do të jenë në nivelin 5 edhe 100 mijë persona të tjerë. Do të arrijnë në nivelin 4 mbi një milion banorë dhe në nivelin 3 rreth 400 mijë. Në gjithë Rripin një banor në tre nuk ka arritur të sigurojë ushqim për ditë të tëra dhe prindërit heqin dorë nga vaktet në favor të fëmijëve. Izraeli sulmon IPC për uljen e kritereve të tij në mënyrë që të mund të shpallte urinë dhe të njolloste shtetin hebre. Autorët e analizës nuk përgjigjen, por ndryshimi i udhëzimeve është gjashtëvjeçar.

"Të dhëna të arsyeshme"

Sipas raportit, në mes të gushtit, gjashtë persona, si fëmijë ashtu edhe të rritur, po vdisnin nga uria çdo ditë. Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka numëruar deri dje 281, prej tyre 114 fëmijë. Raporti i IPC pranon se nuk mund të verifikojë shifrat, por përfundon se është "e arsyeshme" t’i konsiderosh të sakta dhe se, me matje të pavarura, do të ishin më të larta. Kjo sepse shkaku i vdekjes nuk identifikohet gjithmonë drejtpërdrejt me urinë. Më shpesh është ndërveprimi me sëmundje të tjera që bëhet fatal. Vdesin fëmijë, të sëmurë, gra shtatzëna dhe në gjidhënie sepse dobësohen nga mungesa e ushqimit. Një simptomë janë lindjet e parakohshme: një në 5 për shkak të urisë së nënës.

Dëshmitë

Ashtu siç Izraeli mohon qasjen e gazetarëve në Rrip, po kështu vendos kufizime të ashpra për punonjësit humanitarë dhe kërcënon t’u heqë lejen e punës edhe vetëm për deklarata që dëmtojnë reputacionin e shtetit hebre.  Prandaj, e ka të lehtë të sfidojë mbledhjen e të dhënave. Janë megjithatë qindra mjekë dhe infermierë të huaj që kanë kaluar nga Gaza në gati dy vjet ofensivë izraelite dhe të gjitha dëshmitë përkojnë: pacientët dhe bashkëpunëtorët vendas janë gjithnjë e më të kequshqyer, të paaftë të reagojnë ndaj terapive dhe madje për të mbyllur plagët. Po aq të shumta janë fotot (të verifikuara) të fëmijëve kockë e lëkurë.

Shkurtimet e ndihmave

Që nga tetori 2023 Izraeli ka reduktuar shumë hyrjen e mallrave në Gaza, nga marsi deri në mesin e majit 2025 ka ndaluar çdo hyrje humanitare ose tregtare, për gati dy vjet ka bombarduar dhe deportuar, shkatërruar spitale dhe magazina të OKB-së, ndërprerë energjinë elektrike, shkatërruar ose bërë të paarritshme tokat bujqësore, shuar sistemin e shpërndarjes së OKB-së për ta zëvendësuar me një (Ghf) nën kontrollin e tij. Ka ndaluar madje edhe anijet e peshkimit. Do të ishte e pazakontë që në Gaza të mos kishte mungesë ushqimi. Izraeli e di se po shkel rekomandimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të parandaluar akuzën për gjenocid. I ishte kërkuar të garantonte ndihmë të plotë humanitare për civilët kur viktimat ishin 25 mijë, por tani që kanë kaluar kuotën 62 mijë ende nuk e ka bërë. Deklaratat e ministrave dhe ushtarakëve mbi qëllimin për të shkatërruar Gazën bien ndesh me pretendimin për të qenë në përputhje me të drejtën humanitare ndërkombëtare./Corriere della sera 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni kritikat e Ramës ndaj vendimeve të gjyqtarëve?