Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz

Olaf Scholz: Gjermania s’do t’i japë leje Ukrainës për armët me rreze të gjatë

24 Shtator, 11:47| Përditesimi: 24 Shtator, 13:02

  • Share

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka ngulur këmbë se vendi i tij nuk do t’i heqë kufizimet ndaj Ukrainës në lidhje me përdorimin e armëve gjermane me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë, pavarësisht lutjeve të Kievit.

Qeveria i ka marrë “disa vendime” në lidhje me mbështetjen ushtarake për Ukrainën, të cilat “janë shumë të qarta për mua”, tha Scholz të hënën mbrëma në Nju Jork. Atje Scholz pritet të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Scholz theksoi se në mesin e atyre vendimeve janë edhe kufizimet që ia ndalojnë Ukrainës të hedhë raketa gjermane thellë brenda territorit të Rusisë.

“Kjo nuk është në përputhje me qëndrimin tim personal... Ne nuk do ta bëjmë këtë dhe kemi arsye të mirë për këtë”, shtoi Scholz, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zelensky u është lutur vazhdimisht partnerëve perëndimorë ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për t’i goditur shënjestrat thellë brenda tokës ruse, përfshirë fushat ajrore dhe depot e naftës të përdorura nga ushtria.

Arma me rreze më të gjatë veprimi që Gjermania ia ka dhuruar deri tani Kievit është raketahedhësi MARS II, i cili mund ta godasë shënjestrën 84 kilometra larg. Berlini i ka dhënë leje Kievit ta përdorë këtë raketahedhës vetëm në hapësirë të kufizuar brenda tokës ruse, në afërsi të qytetit kufitar ukrainas, Harkiv.

Scholz nuk ka pranuar ta furnizojë Kievin me armë precize me rreze të gjatë veprimi, pavarësisht vendimeve të aleatëve të Gjermanisë në NATO.

Gjermania nuk dëshiron t’i japë Ukrainës raketa lundruese Taurus, të cilat mund të godasin caqe rreth 500 kilometra larg, duke argumentuar se “kjo do ta rriste dukshëm rrezikun për përshkallëzimin e luftës”.

SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kanë furnizuar Kievin me raketa lundruese, të cilat mund ta godasin shënjestrën deri në 300 kilometra larg. Ato janë duke shqyrtuar vendimin se a ta lejojnë apo jo Kievin t’i përdorë këto raketa për sulme ndaj shënjestrave thellë brenda Rusisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se përdorimi i armëve të tilla nga Kievi do ta zhyste NATO-n në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë./REL

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?