Në zemër të Prizrenit, në Sheshin e Shadërvanit, këtë të diel u mblodhën qindra makina retro, duke i dhënë qytetit një atmosferë të veçantë festive dhe nostalgjike. Ky spektakël klasik nuk i tërhoqi vetëm vendasit, por edhe turistët, të cilët shijuan ekspozitën nën tingujt e motorëve të kohës së kaluar dhe shkëlqimin e kromit të mirëmbajtur.
Adhuruesit e mjeteve të vjetra patën rastin të shohin nga afër më shumë se 100 makina klasike, shumica prej të cilave i përkisnin dekadave të artë të automobilizmit viteve ’60, ’70 dhe ’80.
Me targa të personalizuara dhe pronarë pasionantë që kishin ardhur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, parada automobilistike solli një frymë rajonale bashkëpunimi dhe dashurie për trashëgiminë mekanike.
Kurioziteti i qytetarëve nuk mungoi shumë prej tyre jo vetëm që i vrojtonin nga afër këto makina klasike, por edhe pozonin pranë tyre për fotografi të veçanta. Ndër më të veçantat që morën vëmendjen ishte një "Jeep" amerikan i vitit 1923, i sjellë nga një djalë vetëm 19-vjeçar nga Deçani, Erion Syla.
Po ashtu, makina "Marmur" e vitit 1928, në pronësi të Valon Emrës, u vlerësua për bukurinë dhe origjinalitetin e saj. Të dy pronarët ndanë pasionin e tyre për mjetet motorike klasike dhe përshkruan karakteristikat unike të relikeve që kujdesen me përkushtim.
Një tjetër atraksion ishte limuzina Mercedes 600, e njohur si automjeti me të cilin udhëtonte udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha. Ky model i rrallë u admirua nga shumë të pranishëm, përfshirë edhe koleksionistin Nikola Mitrevski, i cili prezantoi makinën e tij “Zastava” dhe shprehu habinë që për herë të parë pa nga afër një nga makinat e ish-diktatorit shqiptar.
“Makina është e Enver Hoxhës. Është e bukur. Është e mirëmbajtur,” tha ai.
Festivali i sivjetshëm ishte edicioni i 20-të i “Oldtimer Fest”, i cili tashmë është bërë një traditë e rëndësishme kulturore në Prizren. Qëllimi i këtij festivali është jo vetëm të promovojë dashurinë për makinat klasike, por edhe të shndërrojë qytetin në një qendër të ruajtjes dhe ekspozimit të trashëgimisë automobilistike, me synimin për të krijuar një muze të dedikuar makinave klasike në të ardhmen.
Komente
