Numërimi mbrapsht ka filluar. Mbrëmjen e së enjtes në Pallatin e Kongreseve nis maratona e emocioneve, që violinisti Olen Cesari e miqtë e tij do të dhurojnë për tri net radhazi.
“Ju pret një moment me energji atomike. Jam shumë i lumtur dhe mezi po pres, tanimëmungon vetëm një ditë. Dhe të gjithë njerëzit janë këtu, janë gati. Kemi që në nëntor që po përgatiten dhe jemi në fazën e fundit”, thotë artisti Olen Cesari, violinist dhe kompozitor elektik.
Vjen me të tjerë artistë si Sergio Cammariere, Marsela Çibukaj, Carlos Paz dhe Gaz Paja. Në çdo pjesë të koncertit premton spektakël. Jo vetëm muzikë, por edhe balet, humor e momente humane të përcjella përmes artit.
“Emocione pa fund. Do të ketë dhe momente shumë prekëse, si dhe çaste teknologjike që s’janë provuar ndonjëherë në Shqipëri .Kemi surpriza pa fund. Çdo pjesë është spektakël në vetvete”, tregon më tej artisti.
Prej 2009-ës të pandarë, violinistin njëherazi kompozitor eklektik e shoqëron edhe kësaj here “International Clandestine Orchestra”.
“Është familja ime muzikore, ne dimë çdo gjë të njëri-tjetrit. Praktikisht merremi vesh pa folur, sepse kjo është magjia e muzikës”, thotë violinisti.
Edhe violina ëhstë e njëjta, në të janë artistët që e frymëzuan edhe vlerësuan, si Lucio Dalla që e konsideronte shqiptarin Olen Cesari si një nga artistët më të mirë në nivel botëror.
Virtuoz në një gamë të gjerë repertori nga muzika klasike, tek xhazi, etnikja e botërorja, publiku do të duhet të përgatitet për një buketë shumëngjyrshe muzikore, që siç tregon sa vjen e bëhet më shpirtërore.
“Ka ndryshim në repertor, në aspektin human, tani flitet për nivele spiritualë që vijnë nga zemra”, shprehet Cesari.
Sa i përket emocioneve që burojnë nga zemra, dhe në interpretimet më të ndjera symbylluari të violinistit kompozitor, do të ketë edhe kësaj here një dedikim special.
“Në këtë moment dedikimi më i madh është ndaj mamasë të shërohet sa më shpejt e të jetë e mundur dhe të vijë tek koncerti i radhës se këtë se kapi dot”, thotë më tej artisti.
Kanë mbetur edhe pak vende, që mund të rezervohen në Olen.al, për ata që nuk duan ta humbasin spektaklin.