I shoqëruar kudo nga violina e tij, ai ka lënë gjurmët e një virtuozi në mbarë botën. Por kësaj here, për dy net ka zgjodhi të luajë për njerëzit e vendit të tij, në Shqipëri. Ai është Olen Cezari, i cili mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve luajti tinguj nga mbarë bota, i shoqëruar edhe nga gjashtë artistë të njohur, si kantautori italian Alessandro Mannarino, instrumentisti nga Kina, Guo Gan, bateristi Pepe Sanchez,i riu i talentuar italo-shqiptari Eden, i cili për dy muajsh bllokoi Sanremo-n e të rinjve, artisti Shama Milan nga Kuba, këngëtarja e vetme italiane, që është e specializuar për të kënduar këngë shqiptare, Lavinia Mancusi apo edhe humoristi Bes Kallakun. Gjatë gjithë kohës gjeniu i violinës, ashtu sikundër kritika e quan, qëndroi në skenë bashkë me grupin e tij, “Ndërkombëtarët klandestinë”. Me ta ka dhjetë vite, që udhëtojnë kudo, për të luajtur tinguj të prekshëm, realë gëzimi dhe trishtimi nga e gjithë bota.
Mbrëmja e moderuar nga vet Oleni, më pas nisi me një tango, ku shoqërohej në skenë nga primabalerina e Teatrit të Operës Ledia Sulaj. E më pas, për herë të parë para publikut shqiptar violinisti interpretoi një nga pjesët e projektit, që është duke realizuar për “7 mrekullitë e botës”, kësaj here udhëtuam bashkë me të në Murin e Madh të Kinës. Por, Cezari emocionet e pashlyeshme, që ka përjetuar me instrumentin e tij, duke interpretuar Ave Maria në supin e Krishtit në Rio De Zhanero, i solli edhe në skenën tonë, sepse ky udhëtim për Olenin mbetet, ndër më të rrallët edhe të pabesueshëm.
As në këtë koncert virtuozi i violinës nuk mund të rrinte pa sjellë për publikun, muzikën e tij të preferuar, që mban emrin Charlie Chaplin. Për të Chaplin, është një artist i kompletuar, poliedrik në aktrim edhe muzikë. Për tre orë publiku i Tiranës udhëtoi nga muzika braziliane, tek ajo izraelite dhe ruse, pa harruar atë shqiptare, e për ta mbyllur mbrëmjen me këngën e njohur italiane “Volare”.