OFL-ja godet sërish në Shijak/ Në shënjestër Astrit Avdyli i dosjes 339 dhe Astrit Keçi në burg në Itali për trafik droge

26 Shkurt 2020, 13:21| Përditesimi: 27 Shkurt 2020, 10:26

  • Share

Pas grupit të Hajrajve në ditën e parë të nisjes së operacionit, Forca e Ligjit është rikthyer sërish në Shijak sot duke u dërguar formularin për justifikimin e pasurisë dy personazheve të tjerë të njohur për drejtësinë shqiptare dhe atë italiane. Dy emrat, të cilëve OFL-ja u ka kërkuar justifikimin e pasurisë janë Astrit Balliu, i njohur edhe me mbiemrin Avdyli banues në Shijak, i dënuar me 12 vite nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës për vrasje me paramendim dhe Astrit Keçi banues në Shijak, dënuar nga Gjykata e Pisas në Itali për trafik droge. Brenda 48 orësh, si subjekt i Ligjit Special Anti-KÇK, ata duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme që ka 15 ditë kohë për të vendosur nëse kërkesën për sekuestro pasurish do e çojë për konfirmim në gjykatë, apo nëse do të kthejë pas OFL-në.

Ora 14:08
I dënuar 30 vite, u kap në 2018 dhe u ekstradua në Itali, kush është Astrit Keçi që OFL-ja i futi në sitë pasurinë

Astrit Keçi është emri i dytë që OFL-ja i dërgoi sot formularin për justifikimin e pasurisë. Ai u arrestua në 14 maj të vitit 2018 nga policia shqiptare pasi kërkohej nga drejtësia italiane për trafik droge.

Keçi në vitin 2006 ishte kthyer në Shqipëri për t’iu shmangur kapjes pas një sërë hetimesh të kryera më 1998 dhe në 2006 si dhe ndaj masave të nxjerra nga autoritetet gjyqësore në Milano dhe Rimini.

Astrit Keçi u akuzua si pjesë e grupit, që konsiderohet si një prej organizatave kryesore të trafikut ndërkombëtar të drogës, sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës. Droga është trafikuar në shtete të ndryshme evropiane përmes Italisë, ku përdoreshin kanalet e rajonit Friuli-Venezia-Giulia.

Pas arrestimit, Gjykata e Durrësit vendosi ekstradimin e tij në drejtim të Italisë për të vuajtur dënimin me 30 vjet burg për kryerjen e veprës penale "Organizatë Kriminale me qëllim Trafikimi i lëndëve narkotikëve".

Ora 13:45
Në burg për 200 kg heroinë, OFL i kërkon justifikimin e pasurisë anëtarit të grupit të Avdylajve, dënuar për vrasje


Astrit Balliu (alis Avdyli, Sulejmani) është njëri nga dy emrat që Operacioni Forca e Ligjit u dërgoi sot formularin për të justifikuar pasurinë. Ai është një emër i njohur për drejtësinë, pasi u arrestua për dosjen 339 për sasinë prej 200 kg heroinë që u sekuestrua në Has në tetor të 2018 dhe që tashmë ndodhet në burg në pritje të gjykimit në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Astrit Balliu është pjesë e grupit Avdyli.  

Balliu nga Shijaku është denuar me 12 vite nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale "Vrasja me paramendim". Por si është historia e vrasjes që ka bërë Astrit Balliu? Në vitin 1996 vritet me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astritit.

Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronar i fabrikës së tullave në Vlorë. Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.

Astrit Balliu (Avdyli), djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mirditor: 27/02/2020 10:53

    tallen me njerzit e thjesht. por shqiptari e din mire se kur nuk ka drejtesi ne shba merreni me mend ne shqiperi

    Përgjigju
  • Genti: 26/02/2020 13:26

    Merruni me letra 48 oreshe, njerezit po vriten çdo dite.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?