Nga 26 korriku - 11 gushtin e kësaj vere në Paris do zhvillohet Olimpiada që organizohet një herë në katër vite. Në Paris, për herë të tretë në historinë e Olimpiadës do ketë edhe një ekip refugjatësh.
36 sportistë nga 11 shtetë të ndryshme dhe me disiplina të veçanta tanimë janë zyrtarizuar nga Komiteti Olimpik. Ata do garojnë në 12 disiplina sportive. Këtë e njoftoi Thomas Bach, kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në një ceremoni të zhvilluar në Lozanë.
Ekipi Olimpik i Refugjatëve do të përfaqësojë më shumë se 100 milionë njerëz të zhvendosur në mbarë botën. Përbërja e ekipit u miratua nga Komiteti Ekzekutiv i IOC dhe bazohej në një sërë kriteresh.
Kriteri kryesor ishte performanca sportive e çdo sportisti dhe statusi i tyre i refugjatit, siç verifikohet nga UNHCR, Refugjatët e Kombeve të Bashkuara.
Për herë të parë, Ekipi Olimpik i Refugjatëve do të garojë nën stemën e vet, një simbol unifikues që bashkon atletë të ndryshëm dhe i jep ekipit identitetin e tij unik.
Shumica e atletëve u përzgjodhën midis atletëve refugjatë të mbështetur nga IOC përmes Programit të Bursave për Atletët e Refugjatëve, i financuar nga programi i Solidaritetit Olimpik të IOC dhe i menaxhuar nga Fondacioni Olimpik i Refugjatëve.