Lojërat Olimpike "Paris 2024" do fillojnë më 26 korrik dhe do ulin siparin në datën 11 gusht. Veprimtaria më e madhe e olimpizmit në botë pritet me interes edhe në vendin tonë, i cili do përfaqësohet me tetë sportistë.
Luiza Gega në atletikë dhe mundja me Islam Dudaev, Zelimkhan Abakarov dhe Cherman Valiev janë sportistët e Shqipërisë që ia dolën të jenë në këtë event duke arritur normën.
Pritshmëria për ta është e lartë, sidomos për Luiza Gegën në garën e 3 mijë metrave me pengesa në atletikë. Për Gegën kjo do jetë pjesëmarrja e tretë në Olimpiadë, pas "Rio de Janeiro 2016" dhe "Tokyo 2020". Në kryeqytetin japonez katër vite më parë, Gega shkroi historinë si e para atlete shqiptare që kualifikohet në finale.
Veç sportistëve që kanë kapur normën olimpike, pjesë e delegacionit shqiptar do jenë edhe katër sportistë të tjerë që kanë marrë ftesë. Në "Paris 2024" do konkurrojnë edhe Franko Burraj në atletikë, Greis Koxhaku e Kaltra Meça në not dhe Manjola Konini në qitje sportive.
Olimpiada e Parisit do bëjë bashkë 10500 sportistë nga bota, në 329 evente dhe 32 disiplina sportive.