Olimpiket 2024/ Luiza Gega dhe Franko Burraj nisen drejt Parisit! Atletja: Synoj më të mirën, gara do të jetë më e fortë

29 Korrik, 21:50| Përditesimi: 29 Korrik, 21:56

  • Share

Atletët Luiza Gega dhe Franko Burraj u nisën këtë të hënë drejt Parisit, ku do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike 2024, si përfaqësues të Shqipërisë.

Nga Rinasi kampionia e Europës Gega, tha se ishte optimiste për rezultatin që mund të korrë në garën 3000 metra me pengesa, por preferoi të tregohej racionale kur u pyet për një objektiv konkret, duke marrë parasysh se pjesë e garës do të jenë atletet më të mirë të botës.

‘Synimi im është fillimisht hyrja në finale. E kam provuar në Tokio. Kam besim më të madh edhe në saj të rezultateve vitet e fundit. Nëse gjëra shkojnë mirë do synoj pozicion më të mirë. Nuk deklaroi asgjë që do marr këtë apo atë medalje’, tha Gega.

Trajneri i saj, Taulant Stërmasi, synon që Luiza Gega të shënojë minimalisht një rekord të ri kombëtar më 4 gusht.

‘Pritshmëritë e mia janë rekord kombëtar, më të mirën që Luiza ka bërë ndonjëherë. Sigurisht jo gara e parë. Pasi do të jetë garë eliminatore, që do të jetë më datën 4 gusht, ku shpresojmë që Luiza të kualifikohet. Me llogaritë tona, besojmë se do të jetë e lehtë. Por sigurisht janë më të mirët e botës atje. 36 më të mirët e botës me investime të mëdha nga shtetet’, u shpreh trajneri Stermasi.

25-vjeçari Burraj, i cili po udhëton drejt Francës pa trajnerin e tij, tha se ishte stërvitur intensivisht dhe se ndihej në formë për të arritur një rezultat sa më të mirë në garën 100 metra, më 3 gusht.

‘Gara 100 metrash nuk është gara ime. Do të jetë e vështirë. Jemi stërvitur shumë dhe shpresoj të kemi një rekord të ri. Shpresa jonë është rekordi kombëtar, pikësëpari’, theksoi Burraj.

Franko Burraj do jetë në “Paris 2024” pa trajnerin e tij Bruno Rrotani, pasi këtij të fundit i është mohuar pjesëmarrja në Olimpiadë për mungesë kuotash. Dy sportistët nuk ishin pjesë e ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike më 26 korrik, pasi datat e garave në të cilat do të marrin pjesë ishin afro 2 javë larg dhe pjesëmarrja aq herët, për ta do ishte e lodhshme.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?