Olsi Rama, vëllai i kryeministrit ka depozituar një padi të dytë sot në SPAK ndaj deputetit të opozitës Gazment Bardhi, lidhur me kallëzimin e këtij të fundit se Olsi Rama ka lidhje me laboratorin e drogës të zbuluar në Xibrakë në vitin 2015.
Në kallëzim e Olsi Ramës, thuhet se ai i referohet një deklarate të Bardhit bërë publike për median online lidhur me Olsi Ramën. Sipas tij deklarimet e Bardhit përbëjnë elementë të veprës penale “Kallëzim të rremë”. Padia e Olsi Ramës është dorëzuar ditën e djeshme, datë 15 maj në sekretariatin e Prokurorisë së Posaçme.
Kjo është hera e dytë që Olsi Rama dorëzon një padi ndaj Bardhit, por herën e parë u refuzua nga SPAK pasi Bardhi nuk kishte bërë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme. Këtë herë, Rama i referohet fillimit të hetimeve nga SPAK të bërë publike edhe nga Bardhi më datë 8 maj 2024.
“Në cilësinë e kallëzuesit, unë Ols Rama, jam vënë në dijeni për një deklaratë publike të shfaqur në median online ndaj personit tim, të bërë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari Gazment Bardhi.
Për shkak se ky veprim i tij lidhet me deklarata të mëparshme ndaj meje të cilat, në vlerësimin tim, në tërësinë e tyre përmbajnë elementët e veprës penale të “Kallëzimit të rremë”, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, dhe më cenojnë pikësëpari mua si person duke më dhënë cilësinë e viktimës së veprës penale, bazuar në nenet 58 e 283 të Kodit të Procedurës Penale, paraqes këtë kallëzim penal me shkrim”, thuhet në dokumentin e depozituar.
Ndërsa shton: “Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. 2. Marrjen e akteve të materialit të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal.”, thuhet në kallëzimin e Olsi Ramës.