Olympiacos ka shkruar historinë. Me një gol në shtesë, nga lojtari më i mirë i tyre, grekët mposhtën 1-0 në finalen e Conference League Fiorentinën. Një sukses, i vulosur nga sulmuesi El Kaabi, që e bëri Olympiakosin klubin e parë grek në histori që fiton një kompeticion europian.
90 minutat e kohës së rregullt u mbyllën me rezultatin 0-0, ndërsa në shtesë sulmuesi maroken shtangu italianët, të cilët për të dytin vit me radhë mposhten në finalen e Conference League. Pas finales trajneri Vincebzo Italiano u shpreh se ‘Fiorentina nuk e meritonte të humbiste’, ndërsa kjo disfatë trishtoi shumë tifozët e klubit. Në Firence, konkretisht në stadiumin ‘Artemio Franchi’, 30 mijë tifozë ishin mbledhur për të shijuar sëbashku ndeshjen, por që nuk shkoi ashtu siç e prisnin.
Ndërkohë krejt ndryshe ishte situata te grekët. Si mos të mjaftonte festa në stadiumin e AEK-ut ku u luajt finalja, atmosferë e jashtëzakonshme u krijua edhe në rrugët e Athinës. Mijëra tifozë, me flakadanë dhe brohorima, lanë qytetin pa gjumë për këtë arritje historike.
Fitorja e Olympiacos pati ndikim të madh për kampionatin grek. Ata kaluan Danimarkën në renditjen e UEFA-s, duke shkuar në vendin e 15, ç’ka do të thotë se përveçse PAOK-ut kampion që merr pjesë në eliminatore si favorit në raundin e dytë, këtë mundësi do e ketë edhe AEK-u që e mbylli sezonin në vendin e dytë. Rivalët e Olympiacos do kenë mundësinë të luajnë në kualifikueset e Championsit, por në vazon e jo favoritëve. Sakaq fituesi i Kupës do jetë në raundin e 3 kualifikues të Europa League, ndërsa vendi i tretë dhe i katërt do marrin pjesë në raundin e dytë të Conference League.