‘Omicron, pandemia e fëmijëve’, pediatrja: Kemi arritur numër rekord vizitash, nga 80 në ditë! Vogëlushët infektohen të parët dhe ia transmetojnë prindërve

20 Janar 2022, 13:53| Përditesimi: 20 Janar 2022, 14:03

  • Share

Omicron i cili aktualisht është varianti mbizotërues jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën sipas mjekes pediatre të Qendrës Shëndetësore nr. 2  Sonila Brati në kryeqytet është “pandemia e fëmijëve”.

Duke folur për Report Tv, ajo tregoi se mosha më e prekur sipas edhe në njoftimi të ISHP është ajo nga 0-14 vjeç.

“Omicron është pandemia e fëmijëve. Dje ISHP tha se fëmijë nga 0-14 vjeç janë më të prekurit. Prindërit duhet të bëjnë kujdes, nuk duhet të neglizhojnë asnjë simptoma, duhet ë drejtohen tek pediatret. Lidhur me vaksinimin, mendoj që është një gjë shumë e rëndësishme.”, tha mjekja.

E ftuar në “Sot Live me Shqipërinë” Brati tha se kjo ka qenë java në të cilën janë arritur një rekord vizitash, deri në 80 në ditë, duke shtuar se

“Kanë qenë ditë të ngarkuara, kemi pasur një numër të lartë të vizitave nga 50-60, mbase edhe më tepër. Kjo situatë është e njëjtë prej fillimit të këtij viti, kjo për shkak të festave si dhe kthimi në normalitet i shkollave. Kjo javë ka pasur rekord vizitash, kemi arritur deri 80 në ditë.”, u shpreh Brati.

Pediatrja tregoi se kapaciteti në Qendrat Shëndetësore është i mjaftueshëm në këto momente pavarësisht vështirësive, ndërsa shtoi se të gjithë mjekët punojnë edhe pas orarit zyrtar me kosulta online.

“Këto ditë kanë qenë të vështira, ngaqë edhe ne vetë nuk i shpejtojmë dot virusit. Kemi pasur mjekë dhe infermierë të prekur, pavarësisht se jemi me kapacitet të plotë për momentit. Ne bëjmë edhe konsulta online me pacientët, punojmë me orë të zgjatura. Më vjen mirë që ministria ka mbyllur shkolla edhe për të bërë një ulje dhe minimizimin e infeksioneve.”, tha ajo.

E pyetur lidhur me shenjat e COVID-19 që shfaqen tek fëmijët, mjekja tha se ato janë të njëjtat. Dicka që ka vënë re është janë fëmijët ata që infektohen të parët dhe më pas e tranmetojnë tek prindërit, apo pjesëtarë të tjerë të familjes.

“Ka viroza të stinës, por edhe COVID-19 nuk mungon tek fëmijët. Omicron është thuajse dominues në krahasim me deltën. Ne i bëjmë rapid test fëmijëve për të zbuluar fillimisht nëse kanë COVID-19. Simptomat janë të njëjtat edhe tek fëmijët njësoj si tek të rriturit. Temperaturat e larta, dhembja e kokës, kolla, rrufa, dhimbja e trupit, këputja. Nëse fëmija ka temperaturë, prindërit preken menjëherë. Fëmijët infektojnë prindërit. Në rastin më të madh të rasteve kanë qenë fëmijët që kanë shfaqur fillimisht simptomat. Unë prindërve ia kam përçuar gjithmonë këtë mesazh, se fëmijët janë përçues të infeksionit edhe pse në shumë rast mund të jenë asimptomatik, fëmijët janë transmetues dhe burim infeksioni. ”, u shpreh Brati.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?