Besnik Cani

ONM ngre shqetësime ndaj draftit të KLP për rikthimin në detyrë të Besnik Canit pas vendimit të ‘Strasburgut’! Ish prokurori u shkarkua nga KPA

2 Prill 2023, 10:20| Përditesimi: 2 Prill 2023, 11:30

  • Share

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare ka kundërshtuar propozimin e bërë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për rikthimin e ish-prokurorit Besnik Cani në detyrë pas vendimi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas ONM ky vendim do të sillte pasiguri ligjore dhe kërkon që të respektohet pavarësia dhe juridiksioni i institucioneve të vetingut lidhur me këtë çështje.

ONM përmes një reagimi shpreh shqetësimin për këtë vendim që sipas tyre kundërshton vendimmarrjen e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, dhe cenon reformën në drejtësi.

“ONM-ja vëren se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e refuzoi shprehimisht kërkesën e z. Cani për rikthimin e tij të menjëhershëm në postin e mëparshëm, duke marrë parasysh edhe natyrën e shkeljes që u gjet në lidhje me procedurën e vettingut të kërkuesit. Në këtë drejtim, ONM-ja thekson se të gjitha vendimet përfundimtare të vettingut mbeten në fuqi deri sa çështja të rihapet dhe të shqyrtohet nga gjykata kompetente me kërkesë të palës së interesuar”, thuhet në reagimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në vijim, ONM sjell në vëmendje vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, GJEND në çështjen “Besnik Cani kundër Shqipërisë”, ku konstatohet se forma më e përshtatshme e trajtimit në lidhje me shkeljen e të drejtës së Canit do të ishte rihapja e procedimeve gjyqësore, në rast se ai vetë do të kërkonte këtë rihapje.

 “Në këtë drejtim, ONM-ja thekson se të gjitha vendimet përfundimtare të vetingut mbeten në fuqi derisa çështja të rihapet dhe të shqyrtohet nga gjykata kompetente me kërkesë të palës së interesuar,” citohet në deklaratë. ONM kërkon që të gjitha institucionet shtetërore dhe autoritetet gjyqësore të respektojnë pavarësinë dhe juridiksionin ekskluziv të organeve të vetingut të magjistratëve që garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si dhe u kërkon atyre që të mos ndërmarrin veprime që bien drejtpërdrejt ndesh me këto vendime.

Përmes një vendimi të marrë në tetor 2022 ‘Strasburgu’ vendosi që për ish prokurorin Besnik Cani, ish anëtar i KLP, të rihapen procedurat, duke pranuar ankimin e tij për vendimin e KPA, pasi pjesë e trupës gjykuese ishte Luan Daci, i cili më vonë u dënua se kishte falsifikuar dokumentet për tu bërë pjesë e vettingut.

Me 6 vota pro dhe 1 kundër ‘Strasburgu’ ka vendosur për shkak se Daci është zgjedhur padrejtësisht në KPA atëherë vendimi është i padrejtë, kështu që çështja duhet të rikthehet për gjykim. Gjykata thotë se në këtë vendim është shkelur neni 6, paragrafi 1, i Konventës së të Drejtave të Njeriut, e cila detyron për një proces gjyqësor të drejtë brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj.

Megjithatë Gjykata ka pranuar qëndrimin e Qeverisë shqiptare se mund të ketë një rrugë ligjore për kërkuesin për të kërkuar rihapjen e procedurave.

Për më tepër Gjykata rithekson se konstatimi i shkeljes së të drejtës për një gjykatë të krijuar me ligj në rastin konkret nuk mund të merret në vetvete për të imponuar mbi shtetin e paditur një detyrim sipas Konventës për të rihapur të gjitha çështjet e ngjashme që janë bërë që atëherë, 'res judicata'. Cani është prokurori i parë në Shqipëri që fiton gjyqin në Strasburg përballë vettingut, por që sigurisht nuk lidhet me vettingun si proces por me një rast individual.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Theo Jacobz: 02/04/2023 13:58

    kan per ta ngel ne veting Fred ballen kta te huajt po u doli kunder

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?