Foto ilustruese

OPEC-u ul prodhimin e naftës për të rritur çmimet, reagon SHBA

6 Tetor 2022, 14:12| Përditesimi: 6 Tetor 2022, 14:16

  • Share

Organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të mërkurën që të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme tek ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi, dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor.

Gjatë takimit në Vjenë, Ministrat e Energjisë të vendeve të OPEC-ut vendosën të ulin prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar në muajin nëntor. Ky është takimi i parë ku ministrat marrin pjesë personalisht që nga fillimi i pandemisë.

Ulja e prodhimit në nëntor mund të sjellë përfitime për Rusinë, anëtare e OPEC-ut, ndërsa vendet evropiane janë angazhuar për t’i dhënë fund importit të naftës ruse sa më shpejt të jetë e mundur.
Përveç një uljeje simbolike të prodhimit të naftës muajin e shkuar, shkurtimi drastik është një kthesë e papritur, ndërsa OPEC-u kishte vazhduar të shtonte prodhimin pas shkurtimeve të thella të bëra gjatë pandemisë.

OPEC+ tha përmes një deklarate se vendimi bazohej në “pasigurinë për perspektivat e ekonomisë globale dhe tregun e naftës”.
Presidenti Joe Biden shprehu zhgënjimin me vendimin që Shtëpia e Bardhë e konsideroi “dritëshkurtër”.

Biden i bëri thirrje administratës së tij dhe Kongresit që të eksplorojnë mënyra për të rritur prodhimin e energjisë në SHBA dhe për të reduktuar kontrollin e OPEC-ut mbi çmimet e energjisë pas njoftimit të OPEC-ut, tha Shtëpia e Bardhë.
Lëvizja e organizatës nënvizon hendekun në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite në politikën e energjisë.

"Presidenti është i zhgënjyer nga vendimi dritëshkurtër i OPEC+ për të ulur kuotat e prodhimit, ndërkohë që ekonomia globale po përballet me ndikimin e vazhdueshëm negativ të agresionit ndaj Ukrainës nga (presidenti rus Vladimir) Putin," thanë në një deklaratë këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan dhe drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Brian Deese.

Vendimi i OPEC-ut vjen ndërsa nafta e papërpunuar tregtohet me një çmim shumë më të ulët se kufiri i vendosur gjatë verës për shkak të frikës se ekonomitë e mëdha botërore si SHBA apo Evropa do të zhyten në recesion për shkak të inflacionit të lartë, rritjes së normave të interesit që synojnë të frenojnë rritjen e çmimeve të konsumit dhe pasigurisë rreth agresionit rus në Ukrainë.

Rënia e çmimit të karburantit ishte e mirëpritur nga amerikanët, që tani po përjetojnë përsëri rritje çmimesh, si edhe për Presidentin Joe Biden ndërsa partia e tij demokrate, përgatitet për zgjedhjet në Kongresin amerikan muajin që vjen.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve të martën se SHBA nuk do të zgjasë shfrytëzimin e karburanteve nga rezerva e saj strategjike.
Në qershor çmimi mesatar i karburantit ishte rreth 1.3 dollarë për litër. Presidenti Biden është përpjekur të fitojë pikë me uljen e çmimit, ndërsa zyrtarët e administratës thanë në fund të marsit se do të viheshin në dispozicion një milion fuçi në ditë nga rezerva strategjike për gjashtë muaj rresht.

Pas vendimit të së mërkurës, Biden paralajmëroi se do të vazhdojë të udhëzojë vënien në dispozicion të naftës nga Rezerva Strategjike e Naftës së vendit "sipas nevojave”.
Inflacioni i lartë është faktori kryesor që ka ndikuar tek rënia e mbështetjes për Presidentin Biden dhe ka pakësuar shanset e demokratëve për zgjedhjet e nëntorit.
Ndikimi i uljes së prodhimit në çmimet e karburanteve do të jetë disi i kufizuar sepse vendet anëtare në OPEC+ tashmë nuk janë në gjendje të përmbushin kuotat e vendosura nga grupi.Aleanca tha gjithashtu se po përtërinte bashkëpunimin mes anëtarëve të OPEC-ut dhe vendeve jo-anëtare, më e rëndësishmja prej të cilave është Rusia. Marrëveshja do të skadonte në fund të vitit.

Furnizimi me naftë mund të përballet me shkurtime të mëtejshme në muajt e ardhshëm, pasi në dhjetor Evropa ndalon shumicën e importeve ruse. Ndërkohë SHBA dhe vende të tjera anëtare të G-7 kanë plane për vendosjen e një çmimi tavan për naftën ruse, çfarë mund të pakësojë furnizimet nëse Rusia hakmerret duke refuzuar t’u shesë naftë vendeve dhe kompanive që respektojnë kufirin e çmimit.

BE-ja ra dakord të mërkurën për sanksione të reja që pritet të përfshijnë një kufi çmimi për naftën ruse.
Rusia “do të duhet të gjejë blerës të rinj për naftën e saj kur embargoja e BE-së të hyjë në fuqi në fillim të dhjetorit dhe me sa duket do të duhet të bëjë lëshime të mëtejshme çmimi për ta bërë këtë”, thonë analistët e bankës gjermane Commerzbank./VOA 

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?