Tenori shqiptar Saimir Pirgu i është bashkuar sërisht 'Traviatës' së Xhuzepe Verdi, kësaj here me koncept regjisorial të Mario Martone-s, "që lindi në një teatër bosh, sepse për shkak të pandemisë gjendja e të gjithë teatrove kudo në botë për më shumë se një vit është dramatike”. Opera e realizuar si një film e realizuar dhe xhiruar në Teatrin e Operës në Romë u transmetua për artdashësit përmes RaiCultura-s (Rai3).
"Traviata" bazohet në veprën "Zonja me kamelie" të Alexandër Dyma-s. Në qendër të saj është një kurtizane e bukur që dashurohet me një fisnik, por që ati i djalit e pengon dashurinë e tyre.
Protagonistja Violetta Valéry erdhi nën interpretimin e sopranos me origjinë kubano-amerikane Lisette Oropesa. Pranë saj tenori me origjinë shqiptare Saimir Pirgu interpretoi rolin e Alfredo dhe baritoni Roberto Frontali rolin e Giorgio Germont.
Koncepti regjisorial ishte fokusuar te denoncimi i Verdit për një shoqëri hipokrite edhe patriarkale, momentet e shfrenuara të shoqërisë dhe dimensioni intim i protagonistëve, që erdhën përmes ahengut, duke u interpretuar në mënyrë magjepsëse, por edhe duke nxjerr në pah gjithçka ndodh në një teatër të zbrazët.
Qëllimi i regjisorit ishte që të përfshinte spektatorët në këtë moment të vështirë për botën e artit, që megjithatë nuk duhet ta bëjë imagjinatën të vdesë, duke përfshirë shikuesin, madje edhe atë më të largëtin, përmes televizionit.
Dirigjimi i orkestrës u bë nga Daniele Gatti, korpusi i baletit drejtohej nga Eleonora Abbagnato dhe kostumet që rikthyen spektatorët në kohë ishin realizuar nga Anna Biagiotti.