Opera 'Katër i Radës' vjen në Tiranë, vepra pasqyron politikat refuzuese në det të hapur ndaj emigrantëve

11 Shtator 2018, 17:21| Përditesimi: 11 Shtator 2018, 17:42

  • Share

Opera “Katër i Radës” me regji të Salvatore Tramcere u rikthye mbrëmjen e djeshme në Amfiteatrin e Liqenit në Tiranë për të kujtuar edhe një herë politikat refuzuese në det të hapur, me përdorimin e anijeve ushtarake. 

Libreti i bazuar në librin e Alessandro Leogrande-s, me muzikë të krijuar dhe dirigjuar nga Admir Shkurtaj solli edhe një herë në qendër të vëmendjes 28 marsin e vitit 1997. Të nisur nga Vlora me anijen “Katër i Radës” rreth 120 gra, burra dhe fëmijë, pas përplasjes me anijen e marinës italiane, mbeten në ngushticën e Otrantos. 

Prej tyre tetëdhjetë trupa u gjetën të pajetë dhe njëzet të humbur. Gratë shtrëngojnë pas vetes foshnjat dhe mbajnë mbi supe rroba të mbështjellura me peshqir e çarçafë. Në operën e porositur nga Bienalja e Venecias, dalëngadalë anija përplaset edhe fillon të zbrazet, ndërsa nënat vendosin fëmijët në anije, i përqafojnë për herë të fundit,  për t’u lënë skenën zërave të grupit iso-polifonik me këngën “Dallgë deti”.

Lule pranë trupave të foshnjave. Rroba që dalin nga fundi i detit, që hëngri njerëzit që endeshin drejt një jete më të mirë ngrihen lart, na bëjnë të mos harrojmë “Katërin e Radës”, që sot po e përjetojnë qindra emigrantë në mbarë botën. Prandaj, ne njerëzit pavarësisht politikës, duhet të dimë të jemi human. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?