TIRANË- Dy operacione anti-drogë janë finalizuar këtë të martë në Tiranë, duke çuar në pranga 3 persona. Në operacionin e parë, janë arrestuar babë e bir, Sami dhe Kevin Qordja, 43 dhe19 vjeç, të cilëve u janë gjetur në banesë 48.5 kilogramë kanabis, e cila ishte ndarë në formën e çokollatës në 160 pako. Siç shihet edhe në foto, sipër pakove me drogë, është stampuar gamilja. Babë e bir përpunonin kanabisin dhe më pas e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës. Gjithashtu, iu gjet në banesë edhe një armë gjahu pa leje, 1 makinë dhe 2 celular.
Më pas hetimet kanë vijuar, duke finalizuar operacionin e dytë anti-drogë, ku në pranga ra Ramazan Qordja, 31-vjeç. Nuk është e qartë lidhja që ai ka me të arrestuarit në operacionin e parë, por siç bëri me dije Lorenc Panganika, drejtori i Policisë së Tiranës në konferencën për shtyp, Ramazan Qordja, merrej me shitjen e heroinës në doza. Ai i shiste ato në zonën e Tufinës, në Babrru dhe në rrugën “Myslym Keta”. Bëhet fjalë për sasi 1-2 kg heroine, të cilën e ndante më pas dhe e shiste në bashkëpunim me persona të tjerë. Edhe 31-vjeçarit, gjatë kontrollit, iu gjet në banesë 312 gramë heroinë, një armë gjahu, peshore elektronike dhe një celular.
Ia vlen për t'u theksuar që në këtë konferencë, krah drejtorit të policisë së kryeqytetit, ishte edhe drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Kjo e fundit, do të mësojë nesër në orën 15:00 fatin e saj në sistemin e drejtësisë, nëse do të shkarkohet siç Komisioneri Publik e kërkon, apo nëse KPA do të lërë në fuqi vendimin e KPK për të vijuar detyrën.