28 persona janë vënë në pranga pas një operacioni ndërkombëtar të kryesuar nga EUROPOL, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike. Të gjithë të arrestuarit akuzohen për mashtrim.
Lajmin e ka dhënë përmes një deklarate për shtyp Suela Bonjaku, specialiste pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike.
Ajo gjithashtu njoftoi edhe nisjen e fushatës sensibilizuese #SellSafe, me këshilla se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bërë në internet për të mos rënë pre e mashtrimit.
Njoftimi
Policia e Shtetit mori pjesë në një tjetër operacion ndërkombëtar të udhëhequr nga EUROPOL, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike.
Autoritetet e zbatimit të ligjit nga vendet pjesëmarrëse: Shqipëri, Austri, Belgjikë, Kolumbi, Kroaci, Greqi, Hungari, Irlandë, Itali, Gjeorgji, Holandë, Maqedoni e Veriut, Poloni, Portugali, Slloveni, Sllovaki, Spanjë, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbështetura nga EUROPOL dhe Këshilli i Rrezikut të Tregtarëve, bashkuan forcat në një veprim të koordinuar kundër mashtrimeve në internet, duke zhvilluar një operacion në shkallë të gjerë, nga data 1 deri në datën 31 tetor, si pjesë e Veprimit të Tregtisë Elektronike 2021.
Modus operandi i kësaj veprimtarie kriminale përfshinte përdorimin e disa aplikacioneve në telefonat celularë, të cilat lidheshin me bankat për të kryer transferime dhe blerje në mënyrë të paligjshme.
Si rezultat i operacionit u arrestuan 28 persona në vendet pjesëmarrëse, si të dyshuar për mashtrimin me transaksione.
Në vijim të këtij operacioni ndërkombëtar, të gjitha vendet pjesëmarrëse do të promovojnë fushatën duke përdorur hashtagun #SellSafe, për të ndihmuar shtetasit e tyre që të kuptojnë rreziqet e mashtrimit gjatë tregtisë në rrjet.
Pas suksesit të fushatës ndërgjegjësuese 2020, për të nxjerrë në pah mënyrat kryesore për të luftuar mashtrimin në internet, EUROPOL, së bashku me Këshillin e Rrezikut Tregtar dhe vendet pjesëmarrëse, po fillojnë sot fushatën #SellSafe – shitje e sigurt, si pjesë e Veprimit të Tregtisë në rrjet 2021.
Qëllimi i fushatës është të bëjë tregtinë elektronike më të sigurt, duke promovuar metoda të sigurta blerjeje në internet dhe duke ndihmuar tregtarët e rinj të hapin dyqanin e tyre të parë në rrjet, duke shmangur rrezikun e sulmeve kibernetike.
Vendet pjesëmarrëse do të promovojnë fushatën përmes kanaleve të mediave sociale duke përdorur hashtagun #SellSafe, për të ndihmuar shtetasit e tyre të kuptojnë rreziqet e mashtrimit gjatë tregtisë elektronike.
Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese #SellSafe – shitje e sigurt, me qëllim mbrojtjen e shtetasve, Policia e Shtetit kërkon prej qytetareve që të bëjnë kujdes duke zbatuar disa rregulla të thjeshta, por të domosdoshme për sigurinë e tyre në rrjet.
Ja se si të mbroheni kur shisni produkte në rrjet nga mashtruesit në internet:
– Sigurohuni që të gjithë punonjësit tuaj të jenë të vetëdijshëm për çështjet e mashtrimit që prekin dyqanet në rrjet;
– Qëndroni të përditësuar mbi llojet e mashtrimeve të pagesave në rrjet që prekin këto lloj biznesesh dhe sigurohuni që të keni mjetet në dispozicion për t’i parandaluar ato. Institucionet e sigurisë, por dhe bankat me të cilat bashkëpunoni do të kenë detaje mbi llojet e mashtrimit të pagesave në rrjet. Kontaktojini!
– Njihini klientët tuaj, në mënyrë që të jeni në gjendje të verifikoni pagesat e tyre.
Këshilla për blerësit në internet:
– Asnjëherë mos dërgoni me e-mail numrin e kartës suaj, PIN-in ose ndonjë informacion tjetër të kartës;
– Asnjëherë mos i dërgoni para dikujt që nuk e njihni;
– Ruani gjithmonë të gjitha dokumentet që lidhen me blerjet tuaja në rrjet;
– Nëse nuk po blini asgjë, mos i paraqitni të dhënat e kartës suaj;
Të nderuar qytetarë, duhet të bëni kujdes gjatë lundrimit në internet, pasi grupet kriminale përshtatin vazhdimisht metodat e tyre te mashtrimit në internet, duke iu shfrytëzuar juve dhe këdo tjetër që nuk do të tregojë kujdesin e duhur.
Që nga fillimi i pandemisë, shumë bizneseve iu është dashur të hyjnë në rrjet, për të vazhduar aktivitetet e tyre. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të përdorin shërbimet në rrjet disa herë në periudha të shkurtra dhe gjithnjë e më shume blerjet po kryhen në këtë formë, gjë ka rritur mundësinë e sulmeve nga kriminelet kibernetike.
Informohuni në vazhdimësi rreth mënyrave të reja të mashtrimit në rrjet, pasi kriminelët kibernetikë në vazhdimësi ndryshojnë format e tyre të veprimit.
Policia e Shtetit, duke qenë gjithmonë në dispozicionin, fton qytetarët që për çdo informacion që do t’iu nevojitet, problematikë apo denoncim të kontaktojnë Njësinë e Hetimit të Krimeve Kibernetike në adresën e postës elektronike: Ç@asp.gov.al, në numrin e telefonit 0694155552, si dhe në aplikacionet Ëhatsapp, viber etj.
Çdo rast i mashtrimeve gjatë blerjeve në rrjet do të ndiqet profesionalisht, duke iu garantuar një reagim të shpejtë nga Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike.