Funksiononte kështu: rekrutoheshin përmes disa kanaleve në Telegram, në emër të një përkatësie të përbashkët ndaj kauzës ruse. U kërkohej të shkarkonin një software që përdorej, me bazë në Itali, nga "grupe të terrorizmit kibernetik që mbështesnin kauzën ruse në kuadër të konfliktit me Ukrainën", për të sulmuar faqet italiane të infrastrukturave strategjike. E bënin këtë duke i ‘përmbytur’ serverat me të dhëna, në mënyrë që t’i paralizonin dhe t’i bënin të papërdorshëm. Ndër të tjera, janë sulmuar ministritë e Mbrojtjes dhe të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Financa dhe Consob. Por edhe banka (Unicredit, Intesa, Mps), transportet (serverat e aeroporteve ose të shoqërive publike të transportit) dhe kompani të mëdha.
Prokuroria e Romës, në një hetim të koordinuar nga Prokuroria Kombëtare Antiterrorizëm, zhvilloi dje kontrolle ndaj pesë personave: një 72-vjeçar nga Milano, dy 22-vjeçarë nga veriu i Italisë, një 30-vjeçar dhe një 26-vjeçar banues në provincën e Torinos. Pesë histori të ndryshme të bashkuara nga një emër që prej muajsh përmendet vazhdimisht nga sistemet e sigurisë evropiane: NoName057(16). Një kolektiv hakerësh filorus, aktiv që nga marsi 2022, i specializuar në sulme kibernetike ndaj faqeve institucionale, bankave, transportit, shëndetësisë, telekomunikacioneve. Dekreti i kontrollit mban firmën e zëvendësprokurores Lucia Lotti dhe të prokurorit Eugenio Albamonte (aktualisht pranë Dna), në një hetim që përfshin Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, Zvicrën, Holandën, Suedinë, Francën dhe Spanjën. Një hetim që ka çuar, në nivel ndërkombëtar, në pesë urdhër-arreste ndaj shtetasve rusë – dy prej të cilëve konsiderohen në krye të organizatës – dhe në çaktivizimin e mbi 600 serverëve.
Në Itali, verifikimet nisen nga një konstatim i thjeshtë: sulmet kibernetike që muajt e fundit vunë në vështirësi infrastrukturat tona nuk vinin vetëm nga IP ruse. Disa prej atyre sulmeve nisën nga lidhje që i përkisnin adresave italiane, me metoda dhe përmbajtje plotësisht të ngjashme me ato të grupit NoName. Kush veproi, e dinte çfarë bënte, si ta bënte dhe – mbi të gjitha – pse ta bënte. Në qendër të hetimit janë pesë persona që “në bashkëpunim me njëri-tjetrin”, siç thuhet në dekret, “për qëllime terrorizmi kibernetik” vepronin për të shkaktuar “dëme konkrete në infrastrukturat e shërbimit publik”. Dy prej të hetuarve punojnë në sektorin e sigurisë kibernetike, me aftësi teknike të cilësuara “në nivel të lartë”. Tre të tjerët nuk janë profesionistë të fushës, por ndajnë një simpati politike të hapur për ideologjinë filoruse. Disa prej tyre, thuhet në dekret, kanë mbështetur publikisht fushatat pro-Putin, edhe në kanale Telegram që lidhen me kolektivin. Me më shumë se 15 mijë anëtarë. Nga hetimet ka rezultuar se nuk u kërkoheshin aftësi të veçanta informatike. Sepse sulmet telematike drejtoheshin drejtpërdrejt nga terroristët rusë, duke përdorur pikërisht kompjuterë me bazë në Itali.
Në akt thuhet me detaje për hapat teknikë: IP-të që përsëriten, pseudonimet e përdorura, pjesëmarrja në veprime të koordinuara. Por ajo që i intereson prokurorëve është edhe diçka tjetër: qëndrueshmëria e kontakteve mes të pestëve, organizimi i brendshëm, marrëdhënia direkte me referentët rusë të grupit. Nuk janë thjesht simpatizantë apo ndjekës, por – kjo është hipoteza – pjesë aktive dhe e vetëdijshme e një strategjie që bashkon propagandën dhe sabotimin, ideologjinë dhe krimin kibernetik.
Kontrollet u zhvilluan njëkohësisht në Lombardi, Veneto dhe Piemonte. Pajisjet informatike të sekuestruara – kompjuterë, telefona, hard disqe – janë tani në duart e ekspertëve të Policisë Postare. Pikërisht nga ato të dhëna mund të dalin provat më të forta: mjetet e përdorura, kanalet e komunikimit, provat e lidhjes me grupin mëmë. Dhe mbi të gjitha, prokurorët do të përpiqen të ngjiten lart në piramidën hierarkike të këtyre terroristëve të rinj ndërkombëtarë./La Repubblica
Komente
