Vilson Bele ka kryer me sukses një ndërhyrje në zemër, ndërsa tashmë është gati të lërë spitalin. Bashkëshortja kujton se e ka sjellë tre javë më parë në gjendje kritike për jetën.
"U konstatua se kishte ujë në mushkëri, tension të ulët dhe parametrat e oksigjenit shumë të ulëta", tha Xhuljeta Bele.
Mjeku Ndriçim Kallashi shprehet se janë të shumtë pacientët me probleme kardiologjike që i nënshtrohen koronares.
"Pasi u fut në koronarografi u vu re që të tre arteriet ishin të dëmtuara, menjëherë u vendosen dy stende në arterien e anës së djathtë që solli përmirësimin e pacientit. Theksoj se kemi bërë një numër shumë të lartë të këtyre ndërhyrjeve dhe kanë pasur ecuri të mirë të gjithë pacientët. Mund të them se këto për ne janë shërbime rutine", shprehet kardiokirurgu, Ndriçim Kallashi.
Tetë muaj pas çeljes në Fier, spitali Memorial numëron 700 shërbime në repartin e kardiologjisë, ndërsa së fundmi janë shtuar dhe pacientët me probleme të mushkërive, shkaktuar nga Covid-19.
"Këtu vijnë pacientë që kanë nevojë për shërbime të kardiologjisë urologjisë, nefrologjisë, por së fundmi ka shumë raste që paraqiten për tu trajtuar nga mjek penumolog", tha Rudina Degjoni drejtore e Spitalit Memorial.