ITALI- Goditja e një karteli italo-shqiptar, që mbante lidhje edhe me organizata të tjera, ka zbuluar edhe përfshirjen e klaneve mafioze të fuqishme në biznesin ilegal.
Numri i arrestimeve dhe të akuzuarve sipas mediave të vendit fqinj ka shkuar në 30 dhe operacioni është ende në proces, teksa bëhet fjalë për sekuestrimin e të paktën 2 tonëve kokainë që kishte ardhur me kontejnerë bananesh nga Amerika e Jugut (kryesisht Ekuadori) dhe që kishte vlerën e 70 mln eurove.
Hetuesit, siç raporton “Genova Today”, zbuluan edhe një kontekst të gjerë kriminal: një grup vepronte në Ekuador dhe blinte drogën nga Kolumbia, substanca narkotike më pas dërgohej në Itali.
Të dyshuarit janë të kombësive të ndryshme (italianë, shqiptarë, rumunë dhe ukrainas) dhe tashmë janë përfshirë në episode të lidhura me krimin e organizuar italian dhe shqiptar.
Në fakt, marrëdhënie kriminale për furnizim me drogë janë konstatuar nga Guardia di Finanza, “mes eksponentëve të Ndrangheta dhe Camorra dhe shoqatës kriminale shqiptare që vepron në Itali, por me degëzime në Belgjikë, Shqipëri, Francë, Gjermani, Ekuador dhe Kolumbi”.
Hetuesit kanë zbërthyer edhe komunikimet në platformën e koduar dhe të enkriptuar SKY ECC.
Ngarkesat që vinin nga Amerika e Jugut dërgoheshin në portet italiane të Livornos, Genovas dhe Savonës, baza reale nga të cilat më pas nisi klasifikimi në qendrat kryesore të trafikut të drogës në vend.
Situata të njëjta janë konstatuar edhe në portet e tjera evropiane si ato të Barcelonës, Antwerpen, Roterdam dhe Shën Petersburg.
Dy persona janë arrestuar në Shqipëri në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar me pjesëmarrjen edhe të Eurojust që u ndërmor dje (5 nëntor 2024) edhe në territorin Italian. Në hetime dhe operacion mori pjesë edhe SPAK-u shqiptar.
Në total u arrestuan 23 persona në Itali (Toskanë, Kalabri, Lazio, Puglia, Campania, Lombardi, Veneto, Liguria) dhe 2 persona në Shqipëri. Të arrestuarit në Shqipëri janë Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku.
Hetimet ndaj rrjetit kriminal shqiptar u iniciuan nga Prokuroria e Firences në Itali, në vitin 2021.