Një nga të arrestuarit gjatë operacionit Limit

Kokainë, heroinë dhe laborator kanabisi në Shqipëri/SPAK mbyll hetimet për 31 të pandehurit, shkojnë në gjykim (Emrat)

6 Korrik 2020, 18:49| Përditesimi: 6 Korrik 2020, 19:09

  • Share

SPAK ka mbyllur hetimet për 31 të pandehurit gjatë operacionit "Limit" të zhvilluar në 2019, të akuzuar për trafik droge të llojit heroinë, kokainë dhe kanabis sativa nga Shqipëria në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, me destinacion Turqinë dhe vende te tjera të Bashkimit Europian dhe e ka çuar çështjen për gjykim në Gjykatën Speciale anti korrupsion.

Pas përfundimit të hetimeve SPAK ka çuar për gjykim në GJKKO të pandehurit: Olger Bamllari,  Aleksandër Pepi alias Bani, Gjergji Çollaku, Hysni Sadik, Sokol Nesimi, Aldo Nesimi, Bilbil Shqalshi, Kristo Ruçi, Besjan Valca, Drini Valca, Festim Çorbaxhi  alias  Bajraktari, shtetasin turk Rexhep Ipek, Eljon Jaho, Gjergji Muke, Romeo Tare, Andrea Caca, Emiliano Kalemi, Bektash Zenel, Besjan Zenel, Enkelejdi Sadik, Kristo Çobaj alias Christo Tsompai, Gjergji Çobaj alias Gkergki Tsompai, Edmir Ballia, Eduart Hoxha, Fejzo Dana, Arbër Brahimi, Vangjel Brahimi, Agron Manka, Ertin Hoxhalli, Eugen Meka, Kastriot Hoxha.

Gjatë hetimit SPAK ka dokumentuar disa episode të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe kanabis sativa në Shqipëri dhe Greqi, duke u bërë sekuestrime rast pas rasti përgjatë viteve 2018 – 2019. Për të njëjtën periudhë, është dokumentuar trafikimi i farërave të bimëve narkotike i kryer nga ana e pjesëtarëve të këtij grupi kriminal, nga Holanda në Greqi, e më pas për në Shqipëri.

Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është dokumentuar edhe veprimtaria e paligjshme e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të disa shtetasve sirianë, me drejtim nga Greqia në Shqipëri, e më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Si u zbulua trafiku ndërkombëtar i drogës? Hetimet të shtrira në një periudhë 3-vjeçare (2016-2019) kanë zbuluar edhe skemën si funksionin këto grupe kriminale. Në Holandë sigurohej fara e kanabisit, më tej kalonte tranzit në Greqi, dhe me ardhjen në Shqipëri bëhej edhe përpunimi në laboratorë të posaçme për kultivimin e lëndëve narkotike. Më tej, droga trafikohej në Greqi, Turqi dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

Hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Shtetit dhe autoritetet greke, u finalizua me operacionin e fundit policor "Limit" me përfshirjen e rreth 300 efektivëve në disa qytete të Shqipërisë (Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë).

Gjatë operacionit Limit të shkatërrimit të këtyre grupeve kriminale janë sekuestruar rreth 120 kg kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndriçim artificial, telefona celularë dhe disa automjete. Ndërkohë, policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?