Operacioni me 37 të arrestuar/ Një kompani në emrin e tij, 2 në të gruas për pastrimin e lekëve, ja kush është koka e grupit nga Vlora, që furnizonte Italinë me kanabis

3 Korrik 2020, 16:16| Përditesimi: 3 Korrik 2020, 17:54

  • Share

TRANE-Report Tv zbulon detaje nga reja nga dosja hetimore e autoriteteve shqiptare që në bashkëpunim me palën italiane goditën grupin e trafikut të drogës që vepronte në Shqipëri dhe Itali, operacion që përfundoi me 37 të arrestuar dhe lëndë narkotike të sekuestruar me vlerë rreth 40 milionë euro. Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno ka siguruar dosjen e prokurorisë që tregon mënyrën e funksionimit dhe provat që kanë vendosur me shpatulla pas murit të arrestuarit. Ilirjan Zaimi alias Duçollari 51 vjeç nga Vlora akuzohet se është koka e grupit kriminal. Ai akuzohet se së bashku me djalin Mariglenin dhe vëllanë Orhanin kishin krijuar rrjetin e furnizimit me drogë, kanabis nga Vlora në Itali.

Report Tv siguroi fotot e Ilirjan Zaimit dhe djalit të tij. Në pronësi familja Zaimi ka tre kompani për pastrimin e parave, njëra prej të cilave në emrin e vetë të akuzuarit si koka e grupit kriminal, ndërsa dy të tjerat në emrin e gruas. Kompania që ka në pronësi Ilirjan Zaimi është "ERGUS SH.P.K", e cila sipas ekstraktit të QKR-së rezulton se merret me tregtim me shumicë e pakicë të artikujve ushqimorë, ambalazhim, import-eksport. Gjithashtu rezulton se Zaimi ka në pronësi edhe një bar-kafe. Të gjitha të sekuestruara nga prokuroria. Në total këtij grupi kriminal në Shqipëri i janë sekuestruar 4 milionë euro asete si prona, automjete, para cash, etj.

Në kërkim janë ende dy personat Elton Hamza, 37 vjeç, banues në Orikum dhe Robert Myftari, 47 vjeç,  banues në Vlorë. Të gjithë të arrestuarit  akuzohen për kryerjen e veprave penale "Trafikimi i narkotikëve", në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal", "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal". Hetimet për këtë grup nisën 5 vite më parë, ndërsa e gjithë mënyra se si vepronte kjo strukturë kriminale u zbërthye nga dy të penduarit  që treguan para prokurorëve se si  koka e grupit, shqiptari nga Vlora, jepte udhëzimet dhe ndante paratë. Nga operacioni ndërkombëtar antidrogë i zhvilluar mes Shqipërisë dhe Italisë u arrestuan 37 persona, 27 shqiptarë dhe 10 italianë.

Kjo organizatë kriminale ndërkombëtare vepronte si një e vetme me detyra të ndara, ku shpërndarja e drogës bëhej në Itali dhe në Shqipëri bëhej grumbullimi dhe transportimi i lëndës narkotike, kokainë, marijuanë e kanabis me gomone, e cila u sekuestrua. Gjithashtu në Shqipëri bëhej dhe pastrimi i parave të grupit kriminal ku sipas burimeve kjo i ishte besuar grupit që vepronte në Vlorë. Kjo organizatë përbëhet nga 3 grupe kriminale që veprojë në Durrës, Vlorë dhe Dibër, ku sipas hetimeve të SPAK rezulton se kjo strukturë kriminale e pastrimit të parave ka përfshirë dhe korruptuar 12 zyrtarë të pushtetit lokal në qarkun e Vlorës, Dibrës e Durrësit dhe zyrtarë policie, punonjës të doganave e deri tek disa agjentë të bankave që kanë qarkulluar paratë e grupit kriminal pa i deklaruar ato.

( Kliko këtu ) Ekstrakti i QKR-së së regjistrimit të kompanisë "Ergus" e Ilirjan Zaimit në Vlorë

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?