Në Gjykatën e Elbasanit, është shtyrë sot seanca për konfirmimin e masave të sigurisë për 30 personat e arrestuar nga operacioni i koduar “First Day” i zhvilluar në qytetet Prrenjas, Librazhd, Gramsh, Peqin, Cerrik, Belsh dhe Elbasan.
Seanca u shty për shkak se avokatët kërkuan që të njihen me aktet e hetimit në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen për mbajtjen e qëndrimit të tyre. Seanca e ardhshme u caktua nesër më datë 11.09.2025 ora 09:30.
Të arrestuarit janë dërguar nga qendra e paraburgimit në Tiranë drejt Gjykatës së Elbasanit të shoqëruar në masa të rrepta sigurie. Gjykata e Elbasanit lëshoi 25 masa sigurie, 5 të tjerë u arrestuan në flagrancë gjatë zhvillimit të operacionit, ndërsa një tjetër person po hetohet në gjendje të lirë.
Report Tv mësoi se bëhej fjalë për shpërndarës të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme, jo eksponentë të njohur të krimit në vend. Të akuzuarit vepronin të organizuar në grupe të vogla, por edhe vetëm. Ata shpërndanin lëndët narkotike pranë shkollave, lokaleve e më gjerë.
Gjatë megaoperacionit të koduar “First Day” janë sekuestruar sasi kokaine e kanabisi, armë zjarri të llojit pistoleta, kallashnikov, armë gjahu e municion luftarak. Gjithashtu janë sekuestruar peshore elektronike që shërbente për të peshuar lëndët narkotike, thika, përforcues grushti, steka duhani që dyshohet të jenë të kontrabanduara, laptopa, tableta, DVR të kamerave të sigurisë, targa makinash shqiptare dhe belge, 24 celularë dhe shuma parash në euro, paund, dollar e franga zvicerane.
Komente
