Policia e Korçës ka arrestuar Davis Zaçen, djalin e Ilirjan Zaçe i cili është arrestuar disa muaj më parë nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike në fshatin Voskop, Korçë. Më datë 27 gusht të këtij viti, gjykata e Korçës i kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg në mungesë të 19-vjeçarit.
Në 8 gusht të këtij viti, policia ka zbuluar një parcelë ku ishin mbjellur 60 rrënjë kanabis në shpatin e një mali të pyllëzuar në krahun e majtë të rrugës Voskop-Lavdar.
Kjo parcelë e mbjellë me bimë të dyshuara narkotike është fotografuar dhe filmuar nga policia gjyqësore. Si pasojë autoritetet kanë vendosur në pranga Oltian Shahollin (kryeplaku i fshatit) të cilin e liruan më pas, Muhamet Shahollin, Elvis Shahollin, Ilirjan Zaçen dhe shpallën në kërkim djalin e këtij të fundit, Davis Zaçen.
Pas ndërhyrjes së punonjësve të policisë këta janë larguar me vrap nga parcela, por Muhamet Shaholli, është kapur nga punonjësit e policisë, ndërsa Davis Zaçe, është larguar me vrap duke përfituar edhe nga terreni i thyer malor. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe një sasi prej 65 fishekë automatiku kallashnikovi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" kryer në bashkëpunim.