Operacioni për kapjen e grupit ‘Çopja’ u dekonspirua? Policia në ‘sitën’ e SPAK, në pyetje u morën Rrumbullaku, Nallbati dhe drejtori i Operacionales

18 Shtator, 12:05| Përditesimi: 18 Shtator, 12:25

  • Share

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka nisur edhe një hetim për dekonspirim të operacionit të 31 korrikut që u organizua për goditjen e bandës së dy vëllezërve Çopja në Elbasan. Operacioni rezultoi me vetëm 13 urdhërarreste të ekzekutuara nga 33 që u lëshuan me vendim të GJKKO.

Policia tashmë është në ‘sitën’ e SPAK dhe drejtuesit e policisë apo të tjerë që kanë pasur dijeni për operacionin janë marrë në pyetje nga hetuesit e SPAK. Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi bëjnë me dije se gjatë muajit gusht është marrë në pyetje edhe Muhamet Rrumbullaku, asokohe drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Po ashtu në pyetje është marrë edhe drejtori i Operacionales, Vilson Bala, drejtori i departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, si edhe Edmond Rizai, që drejton sot Drejtorinë e Hetimit në Policinë e Shtetit.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje edhe drejtorin e Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, të cilit i është sekuestruar edhe telefoni. Proda është në garë edhe për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas dorëheqjes së Rrumbullakut. Në hetim janë vënë edhe 10 agjentë policie dhe hetues të BKH.

Kujtojmë që nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, gjatë operacionit për goditjen e bandës së Çopjave u ekzekutuan vetëm 13 urdhërarreste, 2 prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për disa prej anëtarëve të kësaj bande kriminale që sot janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por ka dyshime se ata janë informuar për operacionin dhe për rrjedhojë janë arratisur.

Një hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani, ka çuar SPAK në zbardhjen e disa vrasjeve, atentateve e grabitje.

Franc e Hajdar Çopja, të cilët janë në arrati, dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë. E konkretisht bëhet fjalë për përplasjen mes grupit Çopja dhe Alibej.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ardiani: 18/09/2024 15:20

    Spjegimi i doreqjes se Rrumbullakut. Bashke me Nallbatin paskan qene te inkriminuar deri nfyt dhe merreshin me policet e thjeshte duke i denuar maksimalisht edhe per shkelje ordinere. Te 4 penxheret perfundofshit !!!

    Përgjigju
  • Jugu: 18/09/2024 14:07

    Ftojme spakun te mbledhi telefonat ne gjirokaster dhe te investigoj ngjarjen e memaliaj se jane devijuar hetimet duke u hetuar njerez pa pike lidhje. Cipa Totalisht i inkriminuar me eksponentet dhe bandat

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?