Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dekoruar me Medaljen e Trimërisë dy oficerët e Antiterrorit, Drejtorin Gledis Nano dhe oficerin Indrit Doda, për kontributin në shpëtimin e jetës së disa fëmijëve që u evakuuan nga kampet në Siri. Në Ministrinë e Brendshme u organizua një ceremoni për dorëzimin e Medaljeve, ku morën pjesë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.
Më 26 tetor u përmbyll me sukses operacioni për kthimin e 4 fëmijëve, Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha dhe nëna e tyre Floresha Rasha (e plagosur në Siri) dhe të Endri Dumanit. Në kamp vijon të jetë motra e Endrit, Eva, ku sipas burimeve ajo është fshehur sepse nuk ka dashur që të rikthehet.
Psa kthimit nga kampi i ferrit "Al Hol" Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha si dhe Endri Dumani vazhdojnë të trajtohen për rehabilitim në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në Konvaleshencë të Durrësit.
Fjala e ministrit Lleshaj:
Para një viti ose më shumë se një viti, kur në Shqipëri dhe në Itali ziente opinioni publik lidhur me fatin e një djali shqiptar që ishte pothuajse peng në kampin Al Hol në Siri, Alvin Berishën, thirra Drejtorin e Antiterrorit Gledis Nanon në zyrë dhe e pyeta në mënyrë të shkurtër, të drejtpërdrejtë: “Çfarë do të kishe bërë ti Gledis nëse në Al Hol do të ishte djali yt?” Dhe Gledisi mu përgjigj pa u menduar asnjë sekondë: “Do të isha nisur për atje, do të isha nisur për në Al Hol”. Atëherë i thashë: “Dakord, dhe konsideroje atë djalin si djalin tênd dhe bëhu gati për të shkuar atje në kohën më të parë të mundshme”. Kështu ndodhi. Ai filloi të përgatitej për të shkuar në Al Hol. Rrethanat e sollën, që pas disa kohësh u mundësua vajtja jo në Al Hol, por në Liban, ku vendosa të shkoj edhe vetë, kryesisht në shenjë respekti të gatishmërisë të këtij oficeri policie, i cili mu përgjigj pa hezitim. Por edhe për të parë mundësitë e vijimit të këtij operacioni. Jeni në dijeni që operacioni atëherë përfundoi me sukses, Alvin Berisha u kthye në shtëpi.
Që nga nëntori i vitit të shkuar e deri në nëntor të këtij viti, vazhdoi përpjekja për të tërhequr nga kampi Al Hol edhe fëmijë të tjerë dhe kampe të tjera në Siri. Ju e dini që në nëntor të këtij viti u realizua edhe tërheqja e një grupi tjetër fëmijësh, ndërkohë që ende ky operacion vazhdon, me shpresën që të gjithë ata fëmijë, viktima të papërgjegjshmërisë së prindërve, familjarëve të tyre, të lidhur me rrjetet e terrorit ndërkombëtar, të mund të kthehen në shtëpi, të largohen nga ferri i kampeve të Sirisë; të mund të afrohen pranë familjeve të tyre, të afrohen tek jeta normale, sociale, familjare, të edukohen, të shkollohen dhe të mos rriten si fëmijë të terrorit, por si fëmijë të Shqipërisë.
Çdo fëmijë i kthyer nga kampet e Sirisë në Shqipëri është një shqiptar më shumë dhe një terrorist më pak. Ndaj në vlerësim të të gjithë kësaj përpjekjeje, këtij kontributi, kam vendosur edhe si akt të fundit në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, të firmos dy urdhra për akordim medaljesh, për Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit Gledis Nano dhe bashkëpunëtorin e tij, Indrit Doda, dy oficerë, të cilët, siç e keni parë edhe ndjekur të gjithë, kanë qëndruar pas këtij operacioni, kanë mbajtur barrë, kanë rrezikuar bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc I. Ghorayeb dhe me shumë bashkëpunëtorë të tjerë ndërkombëtarë; kanë punuar, kontribuar kanë rrezikuar realisht, në emër të shpëtimit të jetës së disa fëmijëve që janë evakuuar dhe të tjerëve që do të evakuohen, shpresojmë, sa më shpejt.
Përmes këtij akti, unë dua të falënderoj për kontributin e dy oficerëve të Policisë Shqiptare, ashtu sikundër pas të cilëve është e gjithë Policia Shqiptare, e cila është një Polici që ka kryer e vazhdon të kryejë me përgjegjësi detyrat e saj ndaj qytetarëve, ndaj sigurisë publike, ndaj rendit publik. Policia në tërësi, Drejtoria e Antiterrorit duhet që ta vazhdojnë operacionin për tërheqjen e fëmijëve të tjerë. Siç thashë, çdo fëmijë i kthyer në Shqipëri është një shqiptar më shumë, ndoshta jo thjeshtë një shqiptar më shumë, por ndoshta një gjeneracion i tërë që vjen pas tij, më shumë, edhe një terrorist më pak, apo shumë terroristë më pak.
E di që operacioni është në zhvillim e sipër, e di që puna ka ecur mjaft mirë dhe jam shumë optimist, që do të jeni në gjendje ta finalizoni me sukses këtë atë. Ndërkohë, që është po me aq rëndësi të përmendet dhe nevoja për ta vazhduar me seriozitet angazhimin tonë kundër terrorit.
Përfshirja e shqiptarëve në konfliktin në Siri, përfshirja e shqiptarëve në rrjetet e terrorit është një episod i pahijshëm në historinë tonë si komb. Nuk ka qenë, nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë çështje e shqiptarëve bashkimi me rrjetet terroriste kudo qofshin nëpër botë. Por në të njëjtën kohë ne, Policia e Shtetit, sidomos Drejtoria e Antiterrorit do të duhet ta vazhdojë, si deri më sot, angazhimin e saj për t’u përballur me terrorizmin. Për arsye që tashmë gjithkush i di, lufta kundër terrorit bëhet nën dhe, kryesisht bëhet nën dhe, bëhet atje ku nuk ka dritë, në kuptimin figurativ. Pra, bëhet në kushte shumë të vështira, sepse po erdhi puna që terrori të dalë mbi dhe, e nën dritë do të thotë që është bërë vonë. Ndaj është shumë e rëndësishme që puna të vazhdojë në mënyrë profesionale, në mënyrë të pandalshme. Për ta mbajtur Shqipërinë larg, për ta mbajtur Shqipërinë të paprekur, për t’i mbajtur shqiptarët larg, për t’i mbajtur shqiptarët të pa përfshirë në rrjete dhe në veprimtari terroriste. Ashtu siç kanë qenë gjatë të gjithë historisë dhe siç do të jenë, pra.
Ndaj është detyrë e juaja e Policisë, e shtetit në tërësi dhe e Drejtorisë në veçanti për ta mbajtur këtë front aktiv dhe për t’u përballuar me sukses siç thashë në këtë front shumë të rëndësishëm. Me këtë rast gjej edhe rastin ngaqë, për arsye të koronës dhe të tjera, nuk do të organizoj ndonjë aktivitet formal ndarjeje, siç duhej bërë, për t’u përshëndetur nga të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, nga drejtuesit e saj, për t’i falënderuar për kontributin e madh që kanë dhënë në forcimin e parametrave të rendit dhe të sigurisë publike në vend.
Policia e Shtetit është sot struktura më e besueshme për qytetarët shqiptarë dhe duhet të vazhdojë të mbetet por dhe ta thellojë nivelin e bashkëpunimit dhe të besimit të qytetarëve shqiptarë.
Policia e Shtetit është struktura që i ka dhënë shumë sigurisë, qetësisë dhe normalitetit të jetës së shqiptarëve. I ka dhënë jetë nga njerëzit e saj, i ka dhënë orë të pafundme shërbimi, orë të pafundshme kontributi, përpjekje, sakrifica. Dhe kjo sakrificë, dhe ky kontribut është i njohur nga shqiptarët, këtë kontribut e njoh edhe unë, e vlerësoj, ju falënderoj për këtë dhe ju inkurajoj që ta vazhdoni më tej.
Unë jam i qartë që Policia vepron në një front shumë të vështirë, ku sfidat janë shumë të mëdha, ku kërkohet angazhim, patriotizëm, kërkohet profesionalizëm, kërkohet përmbajtje, ku kërkohet vendosmëri, ku kërkohen thjeshtë të gjithë ato gjërat që e bëjnë një mision kompleks.
Jam i bindur që ju do ta kryeni me nder dhe dinjitet misionin që keni para qytetarëve shqiptarë. Rezultatet e deritanishme dhe gjendja aktuale e parametrave kryesorë që karakterizojnë punën e Policisë së Shtetit flasin për tregues më të mirë në historinë e 30 viteve të fundit dhe detyra është për t’i thelluar ato më tej. Drejt përmirësimit të vazhdueshëm të këtyre parametrave në shërbim të jetës dhe të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Faleminderit të gjithëve!
Bravo, me se e merituar!
PërgjigjuJepini medalje trimerie edhe atij qe vrau Rashen. Ju keni marre fund komplet. Vazhdoni me ka***iqe te tipit medalje si ne vitet 70. Hiq veliun ik dhe vete o km ordiner se e dhjeve fare
Përgjigju