Arben Lamçja, momenti i ekstradimit dhe Nuredin Dumani

Operacioni për organizatën ‘Çopja’, Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestrot e pasurive për anëtarët e grupit (EMRAT)

19 Shtator, 12:00| Përditesimi: 19 Shtator, 13:28

  • Share

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë sot (19 Shtator) në fuqi, masën e sekuestros preventive për pasuritë e të dyshuarve Arben Lamçja, Arjon Ormenaj, Klajdi Merkaj, Manjola Hysenaj, të shoqërive “Elba Beton”, “Hotel Demis”  dhe personave të tjerë nën hetim.

Pasuritë e tyre ishin vënë më parë në masën e sekuestros nga GJKKO e shkallës së parë, me kërkesë të SPAK, teksa të dyshuarit nuk kishin ushtruar të drejtën e ankimit.

Sekuestrot u vendosën pas operacionit të Prokurorise se Posaçme më 31 korrik, ku kërkoi arrestimin e 33 personave, por që u arrestuan vetëm 11, ndërsa për dy të tjerë, u komunikua akuza në burg, pasi janë arrestuar më herët për vepra të tjera penale.  Për rastin po zhvillohen hetime edhe për një dekonspirim të mundshëm të operacionit.

Një pjesë e pasurive të organizatës kriminale të drejtuar nga Çopjajt, rezultonin në emër të Arben Lamçes, i arrestuar në Kosovë dhe i ekstraduar së fundmi në Shqipëri, ku akuzohet për sigurim kushtesh për vrasjen e Nuredin Dumanit dhe pastrim parash.

SPAK thotë se Lamçja pastronte paratë e vëllezërve Çopja, teksa këta të fundit janë të dyshuar edhe për zotërim të një tregu të rëndësishëm të kokainës në Europë, ku një pjesë e fitimeve investoheshin përmes emrit të Lamçjas, në pasuri të patundshme.

Grupi në fjalë, ku bënin pjesë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, akuzohen nga Prokuroria për një sërë atentatesh e vrasjesh, ndërsa ndaj tyre nisi edhe hetimi pasuror. Franc Çopja u arrestua për llogari të Belgjikës, ndërsa Hajdar Çopja vijon të jetë në kërkim, ku ka të dhëna se ndodhet në Dubai.

SPAK i ka vënë më 26 Gusht nën sekuestro 15 pasuri me vlerë miliona euro në posedim të Lamçjas, familjarëve dhe miqve të tij, mes të cilave, ish-vila “Gjuta” në rrugën e Elbasanit apo Hotel “Demis” pranë piramidës.

Sipas dosjes së SPAK, detajet u zbardhën nga bisedat e kryera përmes SKY ECC, ku flitej për planin e vrasjes së Nuredin Dumanit, masakrën e Bradasheshit, me viktimë Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri, si dhe shtetasi turk Erdal Durunay, e ndodhur në dhjetor të 2018. 

Gjithashtu vrasja e Klevis Kapllanit në Rrogozhinë dhe atentati ndaj vëllezërve Klevi dhe Eraldo Baho në Elbasan, ku mbeti i vdekur njëri prejt tyre dhe tjetri i plagosur.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?