Kronikë

Operacioni ‘Plazhi i lirë’/ Hiqen 85 çadra dhe shezlongë te Kepi i Rodonit në Durrës, vihet nën hetim 59-vjeçari

26 Korrik, 10:59| Përditesimi: 26 Korrik, 11:05

  • Share

Në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Durrësit ka liruar hapësira publike në plazhin e Kepit të Rodonit, duke hequr dhe sekuestruar 85 komplete çadra dhe shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme. Policia thotë se ka vënë nën hetim një 59-vjeçar nga Tirana, që i kishte vënë në mënyrë të paligjshme.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve. Gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Kepit të Rodonit, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej 85 komplete me çadra dhe shezlongë, të vendosura në mënyrë të paligjshme nga një shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., 59 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.”, njofton policia.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet që të respektojnë hapësirat publike dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në to, pasi çdo shkelje do të pasojë me masa administrative dhe penale, sipas ligjit.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?