KORÇË- Ka shkuar në dhjetë numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit "Restart" në Korçë, i nisur disa muaj më parë nga Policia, Stacioni Policor Kufitar i Kapshticës dhe SHÇBA. Pesha e kanabisit të sekuestruar që prej fillimit të këtij operacioni ka shkuar në total në 322 kilogramë. Në vijim të këtij operacioni, sot kanë përfunduar në pranga Ertin Hoxhalli, Kastriot Hoxha dhe Zarif Beqiri.
Personat e mësipërm, në bashkëpunim mes tyre ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në fshatrat e Njësisë Administrative Pojan, Maliq, trafikimit të tyre në drejtim të shtetit grek si edhe posedonin armë pa leje. Policia bëri të mundur lokalizimin e personavedhe ushtruan kontrolle në banesat e tyre, në fshatrat Zëmblak dhe Kurilë.
Konkretisht gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Ertin Hoxhallit, forcat e policisë gjetën dy pako me kanabis me peshë 1.5 kg dhe 1 peshore elektronike, në banesën e Kastriot Hoxhës, u gjet 1 armë zjarri tip automatik, me një krëhër të vendosur në folenë e tij, me 9 fishekë pa leje, si edhe në banesën e Zafir Beqiri., janë gjetur 126 pako, me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë totale 70 kg, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Të arrestuarit:
Ertin Hoxhalli, 35 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq, (i cili aktualisht ishte në shërbim prove).
Kastriot Hoxha, ., 42 vjeç, banues në fshatin Kurilë, Devoll, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe
Zarif Beqiri, 53 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq.
Më 15 dhjetor në kuadër të operacionit “Restart” janë arrestuar Sokol Kadilli dhe Ergis Fidani. Policia sekuestroi 72 pako në peshë 65 kg kanabis, sasi e cila do të trafikohej në drejtim të shtetit grek.
Në datën 6 nëntor u arrestuan katër persona dhe u sekuestrua 114 kg kanabis. Mes të arrestuarve ishte edhe avokati Joni Mosku, i dënuar më parë për trafik droge. Po ashtu u arrestuan edhe, Ligor Romaçka, Idriz Manej dhe Albion Çiko. Avokatin Mosku iu gjet 66 kg kanabis, ndërsa Romaçkës ju gjet në magazinë 48 kg me 1 pistoletë sportive dhe 1 makinë pa dokumentacion.
Ne këtë mënyrë është finalizuar operacioni "Restart" në Korçë.