Bota

‘Roja e Lindjes’, avionët luftarakë të Polonisë e NATO-s fluturojnë pranë kufirit me Ukrainën! Dronët rus shkelin hapësirën ajrore edhe të Rumanisë (VIDEO)

13 Shtator, 18:58| Përditesimi: 13 Shtator, 22:30

  • Share

Polonia ka nisur zyrtarisht operacionin e NATO-s “Roja e Lindjes”, i cili synon mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe sigurisë së Evropës. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, gjatë ceremonisë për Ditën e Forcave Tokësore në Krakov.

Ai falënderoi aleatët e NATO-s për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar.

Në të njëjtën kohë, ushtria polake ka njoftuar zhvillimin e një operacioni ajror parandalues në pjesën lindore të vendit, për shkak të rrezikut të sulmeve me dronë rusë në zonat kufitare me Ukrainën. Si masë shtesë sigurie, qeveria ka shpallur alarm për kërcënim ajror në disa rajone të voivodatit të Lublinit, mes tyre Chelm, Krasnystaw, Leczna, Swidnica dhe Wlodawa, duke u kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

Autoritetet kanë bërë të ditur se për shkak të situatës është mbyllur aeroporti i Lublinit, ndërsa avionë polakë dhe të NATO-s po patrullojnë kufirin me Ukrainën për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore. Tre ditë më parë, Polonia rrëzoi disa dronë rusë që kishin hyrë në territorin e saj, me mbështetjen e aleatëve të NATO-s.

Edhe Rumania konfirmoi sot shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga një dron rus. Lajmi u bë i ditur nga ministria e Mbrojtjes e Bukureshtit, pas njoftimeve të ardhura në pasditen e sotme, sipas të cilave inkursioni ka ndodhur gjatë një sulmi rus kundër fqinjit Ukrainë.

Pasi dy avionë F-16 u ngritën në fluturim për të monitoruar situatën, "u konstatua prania e një droni në hapësirën ajrore kombëtare" dhe ai u ndoq deri sa "u zhduk nga radarët", bëri të ditur ministria.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?