Ishin në kërkim për operacionin ‘Rrjeti’, dy në pranga në Elbasan, pjesë e 4 grupeve kriminale që shpërndanin drogë! 54 të arrestuar gjithsej

16 Korrik 2023, 09:57| Përditesimi: 16 Korrik 2023, 12:14

  • Share

ELBASAN- Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë Elbasan, të cilët ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Rrjeti’, ku u shkatërruan katër grupe kriminale të cilët prodhonin dhe shpërndanin lëndë narkotike në qytete të ndryshme të vendit tonë.

Konkretisht, janë arrestuar Migen Kuçaj, 35 vjeç, dhe Migel Balla, 34, vjeç, që të dy banues në Elbasan. Kuçaj dhe Balla ishin në kërkim pas goditjes së katër grupeve kriminale, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan ka caktuar për ta masën arrest me burg. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Tre ditë më parë në kuadër të këtij operacioni ra në pranga Albi Biçaku, po ashtu i shpallur në kërkim. 

Deri më tani ka shkuar në 54 numri i personave të arrestuar në kuadër të këtij operacioni, ndërsa tre persona të tjerë janë ende në kërkim. Për këtë megaoperacion janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.

Katër grupet kriminale u goditën më 29 qershor 2023, në kuadër të një operacioni antidrogë, të zhvilluar nga policia e shtetit në Elbasan, Pogradec, Prrenjas, Cërrik, Belsh dhe Librazhd. Në pranga kanë rënë shpërndarës droge, furnizues si dhe drejtues të grupeve kriminale, mes tyre tyre edhe biznesmenë.

Në kuadër të operacionit ‘Rrjeti’ janë sekuestruar 51 milionë lekë, 15 mijë euro si dhe një shumë frangash zviceriane! Po ashtu është sekuestruar 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municoni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta.

Report Tv siguroi të plotë dosjen voluminoze të operacionit “Rrjeta” ku u arrestuan 45 trafikantë droge në Elbasan. Të gjithë ranë në kurthin e blerjeve të simuluara të drogës nga një agjent i infiltruar i policisë. Trafikantët përdornin metoda të ndryshme për të shitur drogën, me shishe, në kuti si ato të paketave të cigareve apo me qese plastike.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?