GJKKO

Operacioni ‘Shpirti’/ GJKKO e Apelit lë në fuqi dënimet për 7 anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës! Ndryshon vetëm vendimi për kreun e bandës

22 Dhjetor 2023, 11:47| Përditesimi: 26 Dhjetor 2023, 11:25

  • Share

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e 8 prej anëtarëve të grupit kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës për lirimin e tyre. Kështu, u la në fuqi vendimin e marrë në 8 shkurt për dënimin e të arrestuarve të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Shpirti” që goditi grupin e përfshirë në skemën e trafikut ndërkombëtar të kanabisit.

Ndryshimi i vetëm në vendimin e GJKKO është dënimi i Ilirjan Duçellarit (Zaimi), kreut të grupit. Ky i fundit është dënuar me 12 vite e 8 muaj burg duke i shtuar edhe 1 vite katër muaj burg nga dënimi i mëparshëm.

Për anëtarët e tjerë, Aurel Kalari, Kleo Bregu, Orhan Duçellari, Julian Bejdollari, Rexhino Muça u la në fuqi dënimi përfundimtar me 8 vite e 8 muaj burg. Gjithashtu në fuqi u la edhe vendimi për dënimin me 8 vite burg për Alban Koshin dhe 3 vite e katër muaj burg për Mariglen Duçellarin.

Në dosjen e megaoperacionit “Shpirti” që u zbardh nga Shqiptarja.com dhe Report Tv zbulohet roli i Ilirjan Ducellari (alias Zaimi) si kreu i bandës që kishte plantacione gjigante kultivimi hashashi në zonën e Skraparit dhe bënte të mundur trafikimin drejt Italisë. Ndërsa Rexhino Muça rezulton si pjesë e grupit të Ilirjan Duçellarit që në nëntor të vitit 2015 dështoi në transportimin e 800 kg kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Nisja e lëndës narkotike u bë nga Divjaka, nga Piro Bregu, Elton Hamza, Rexhino Muça e Robert Muftari, por gjatë udhëtimit të parë u prishën motorët, skafi u mbush me ujë, kështu u detyruan të kthehen në Shqipëri.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe u dërgua për gjykim dosja e operacionit “Shpirti”, me 31 të pandehur që akuzohen për trafikim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Mes tyre janë edhe pesë funksionarë publik, duke filluar nga prokurori i Vlorës, Maksim Sota dhe Ilirjan Balla, ish-shef i trafiqeve në Policinë e Shtetit, Artur Krasniqi, Festim Lelaj funksionarë shtetërorë  të gjithë të akuzuar për shpërdorim detyre. Mes të dërguarve për gjykim janë edhe dy truprojat e ish ministrit Saimir Tahiri, Paul (Agustin) Deda dhe Hekuran Marku,  njëri i arrestuar në Francë dhe tjetri në Gjermani. Të dy janë të dyshuar si i përfshirë në 'skemën' e trafikut ndërkombëtar të kanabisit që grupi kriminal i drejtuar nga Ilirjan Duçellari.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?