Ambasadorët Yuri Kim dhe Luiggi Soreca

Kronikë

Operacioni 'Shpirti', Kim: Reforma në Drejtësi po prodhon rezultate, pandëshkueshmëria po mbaron! Soreca: Lufta kundër krimit, afron Shqipërinë me BE

2 Korrik 2021, 13:54| Përditesimi: 2 Korrik 2021, 19:30

  • Share

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe ambasadori i BE Luigi Soreca, kanë reaguar për megaoperacionin ndërkombëtar të koduar ‘Shpirti’ që çoi pas hekurave 38 shqiptarë dhe sekuestroi miliona euro pasuri të vendosura nga trafiku i drogës.

Kim e cilëson operacionin si meritë të Reformës në Drejtësi, ndërsa ka një përgjigje edhe për kritikët që nuk kanë besuar te Reforma. Sipas Kim Reforma po prodhon gjithnjë e më shumë rezultate dhe po tregon se pandëshkueshmëria po merr fund.

Në deklaratën e saj Kim ka bërë edhe një paralajmërim të fortë duke thënë se “SHBA do të vazhdojë të mbështesë SPAK & BKH ndërsa hetojnë dhe ndjekin penalisht ata që abuzojnë me detyrën e tyre ose pasurohen në shkelje- ndërsa varfërojnë shqiptarët përmes veprimtarisë kriminale. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por po ecën përpara dhe po jep rezultate”.

Në një postim në Twitter, edhe ambasadori Soreca thotë se lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave e afron më shumë Shqipërinë me BE. 

"Një operacion tjetër i rëndësishëm kundër krimit të organizuar dhe  trafikimit ndërkombëtar të drogës në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë falë bashkëpunimit të madh midis DIA SPAK dhe Policisë së Shtetit me mbështetjen e Eurojust. Rezultatet 38 persona të arrestuar dhe pasuri me vlerë miliona euro të sekuestruara. Lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave e afron më shumë Shqipërinë me BE", shkruan ambasadori.

Në lidhje me operacionin ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, që e konsideroi atë një "proces pastrimi nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët e agjencive ligjzbatuese". Po ashtu, Çuçi paralajmëroi se të tjera rezultate domethënëse do të ketë në luftën me paligjshmërinë.

Operacioni "Shpirti" shkatërroi një organizatë të mirëfilltë kriminale që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. SPAK, D.I.A, EUROJUST dhe Antimafia italiane dokumentuan veprimtarinë kriminale të 4 grupeve të strukturuara që merreshin që nga kultivimi i lëndës narkotike deri të shpërndarja e saj në qytetet italiane dhe vendet e tjera europiane.

38 janë urdhër-arrestet që janë lëshuar nga SPAK, 10 të ekzekutuar më parë, ndërkohë që për 28 të tjerët, që janë duke ekzekutuar sot, 24 janë lë në burg, 4 në 'arrest shtëpie'. Arrestimet janë bërë në Shqipëri, Itali, Mali i Zi dhe Spanjë. 12 pasuri të paluajtshme janë sekuestruar me një vlerë prej 4 milionë eurosh.

Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit Kulmi) edhe për një administrator publik Saimir Kurti drejtor i zyrës së Punës në Kavajës, Prokurori i Vlorës Maksim Sota, tre zyrtar të larte të policisë e dy punonjës te tjerë, Agustin Deda dhe Hekuran Marku, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 –  me detyrën e prestarëve të grupit te shoqerimit të ish – Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Zyrtarët publik, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.

Ora 16:18
Operacioni me 38 të arrestuar, Kim: Reforma në Drejtësi po jep rezultate, pandëshkueshmëria po mbaron

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka përshëndetur operacionin "Shpirti" përmes të cilit është godititur organizata kriminale që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Kim thotë se Reforma në Reforma në Drejtësi po prodhon rezultate gtë njëpasnjëshme dhe se tregon se pandëshkueshmëria po mbaron. Ndërkaq Kim nënvizon se amerika do të mbështesë ndjekjen penale të atyre që abuzojnë me detyrën ose pasurohen gabimisht. Ky duket si një paralajmërin i fortë i ambasadores.

"Disa pretendojnë/ shpresojnë se reforma në drejtësi nuk ka prodhuar "asgjë". E vërteta është se po prodhon gjithnjë e më shumë rezultate që tregojnë se pandëshkueshmëria po mbaron. Shikoni veprimin e madh të sotëm, i cili është vetëm goditja e fundit kundër zyrtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar.

SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin SPAK, BKH ndërsa hetojnë dhe ndjekin penalisht ata që abuzojnë me detyrën e tyre ose pasurohen në shkelje- ndërsa varfërojnë Shqipërinë përmes veprimtarisë kriminale. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por po ecën përpara dhe po jep rezultate", shkruan Kim.

 

Ora 13:40
Megaoperacioni, reagon Çuçi: Proces pastrimi nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët e agjencive ligjzbatuese

1530267881_cuci.jpg

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me Megaoperacionin që u zhvillua sot, duke e konsideruar një "proces pastrimi nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët e agjencive ligjzbatuese".

Çuçi thotë se  të tjera rezultate domethënëse do të ketë në luftën me paligjshmërinë, ndërsa vlerëson bashkëpunimin me autoritetet italiane.

"Policia e Shtetit ishte pjesë e një tjetër operacioni ndërkombëtar për goditjen me ashpërsi të elementëve kriminalë të implikuar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, të dyshuar për korrupsion e pastrim parash, mes tyre edhe zyrtarë të agjencive ligjzbatuese. Ky është edhe një proces vetë-pastrimi, nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët këtyre agjencive, e do të përgjigjen para ligjit. 

Hetimi i mirë-koordinuar me autoritetet italiane dëshmon kapacitetet në rritje të SPAK dhe Policisë së Shtetit, që janë sot partnerë dinjitozë në luftën kundër krimit të organizuar, që nuk njeh kufij. Aksioni, shembull i ruajtjes së konfidencialitetit, megjithë kompleksitetin e tij.  

Pasuri të dyshuara me burim aktivitetin kriminal janë sekuestruar gjatë këtij operacioni, për të goditur financat e grupeve kriminale dhe kthyer këto pasuri, në të mira publike për qytetarët tanë.

Një vlerësim i posaçëm për prokurorët e angazhuar drejtpërdrejtë në hetim dhe gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të agjencive që ndihmuan në këtë hetim, drejtuesve të operacionit, si dhe një falënderim për partnerët e huaj, për bashkëpunimin. Të tjera rezultate domethënëse do të ketë në luftën me paligjshmërinë!", shkruan Çuçi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?