Kronikë

Operacioni 'Ura'/ Antimafia italiane zbardh detajet: Grupi u fundos nga 3 të penduar të drejtësisë, mes tyre Nuredin Dumani! Trafikuan tonelata me drogë prej 2016! Çfarë u sekuestrua

21 Maj, 13:27| Përditesimi: 21 Maj, 15:30

  • Share

Tre bashkëpunëtorë të drejtësisë kanë "fundosur" grupin kriminal të përbërë nga shqiptarë dhe italianë për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Report TV mëson se njëri prej tyre është Nuredin Dumani. Në kuadër të këtij operacioni të koduar "Ura", janë lëshuar 52 urdhër arreste. 

Antimafia italiane, në një komunikatë zyrtare, jep të tjera detaje. Hetimet, të zhvilluara nga shtatori 2021 deri në qershor 2022, zbuluan bashkëpunimin e sofistikuar kriminal mes grupit me bazë në Durrës dhe dy grupeve mafioze në Bari, të njohura si të tilla nga G.I.P. i Barit, të cilat përpunonin dhe shpërndanin drogën.

U dokumentuan të paktën 255 kilogramë heroinë dhe kokainë e pastër të dërguara nga Shqipëria dhe Europa Veriore në Itali që nga viti 2016, ndërkohë që një fluks i vazhdueshëm parash në dorë, rreth 4.5 milionë euro, transportohej në mënyrë klandestine nga Puglia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të autobusëve.

"DIA, në lidhje me sasitë e mëdha të heroinës dhe kokainës të trafikuara që nga viti 2016, ndërmjet Ballkanit, Evropës së Veriut, Amerikës së Jugut dhe Puglias, ka dokumentuar një interes të përbashkët midis grupit kriminal në Shqipëri dhe dy shoqatave kriminale që operojnë në Bari. Këto shoqata, nga ana e tyre, kryenin operacione për "prerjen" dhe paketimin e drogës në blloqe, si dhe furnizonin me shumicë organizatat kriminale të Barit, Brindisit dhe Leçes, të cilat kërkonin heroinë dhe kokainë cilësore, përkatësisht nga Turqia dhe Amerika Latine. Hetimet komplekse, të kryera me përgjime telefonike dhe mjedisore, pamjet video dhe shërbimet e vëzhgimit dhe kontrollit, të vërtetuara nga analiza e bisedave të koduara të marra nga platforma SKYECC, si dhe nga deklaratat e tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë (besueshmëria e të cilëve është konstatuar), kanë bërë të mundur, ndër të tjera, dokumentimin, në lidhje me drogë e dërguar në Bari kryesisht nga Shqipëria dhe Evropa e Veriut, furnizime të panumërta (255 kilogramë heroinë "e pastër" dhe kokainë "e pastër") të kryera përmes korrierëve ndërkombëtarë.", njofton Antimafia italiane. 

Pjesë e këtij rrjeti rezultuan edhe funksionarë shqiptarë, përfshirë një drejtues policie, një oficer, një avokat dhe gjashtë shoferë autobusësh. Gjithashtu, janë evidentuar episode të shpërdorimit të detyrës në Shqipëri dhe transferime të shumave të mëdha parash jashtë vendit – siç ishte rasti i mbi 500 mijë dollarëve të dërguara në Guayaquil, Ekuador, si paradhënie për 500 kilogramë kokainë.

Një nga provat kyçe për të vërtetuar funksionimin e tre grupeve kriminale transnacionale ka qenë sekuestrimi i mëparshëm 3 milionë eurove në para të gatshme në Durrës, si dhe sekuestrimet e ndryshme të drogës: Mbi 30 kg heroinë dhe disa 'laboratore' artizanale në Bari dhe rrethinat e tij, të përdorura për të prerë dhe paketuar drogën në blloqe; 2 tonë kokainë në portin e Roterdamit (Holandë); 932 kg kokainë në portin e Gioia Tauro (Reggio Calabria); 400 kg hashash në Noicattaro (Bari).

Masat e sigurisë në Shqipëri janë dhënë mes të tjerash për drejtues të grupit kriminal në Durrës, dy punonjësit e policisë, një avokat dhe gjashtë shoferë autobusësh. Masat e sotme të sigurisë – ndaj 12  italianëve dhe 40 shqiptarëve, të vendosur në burg (49), në arrest shtëpie (1) dhe me detyrim paraqitjeje pranë Policisë Gjyqësore (2) – janë ekzekutuar, në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar, në Shqipëri në qytetet e Durrësit, Shkodrës, Tiranës, Fierit, Vlorës; në Itali në Bari dhe rrethina, Oria, Matera, Frosinone, Torino, Cosenza, Trento, Como, Cremona dhe Pomezia, si dhe në Belgjikë.

Operacioni “URA” është pjesë e një serie hetimesh të thelluara kundër krimit të organizuar shqiptar, pas operacioneve “Shefi”, “Kulmi” dhe “Shpirti”, që kanë sjellë dhjetëra arrestime dhe sekuestrime të mëdha droge dhe pasurie. Autoritetet theksojnë se procedimi penal ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake.

Në kuadër të hetimeve u sekuestruan pasuri të konsiderueshme në të dy vendet:
- Në Itali: 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 automjete;
- Në Shqipëri: prona të paluajtshme, 2 firma ndërtimi, 4 restorante luksoze, një agjenci imobiliare dhe një rrjet televiziv, me një vlerë totale prej disa milionë eurosh.

SI.E./Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?